E Diel, 1 Nëntor 2026

Ramiz Alia: “Isha në Bosnjë kur ndodhi masakra e Tivarit në Mal të Zi”



Ish-presidenti i regjimit komunist, Ramiz Alia, dje, gjatë promovimit të librit të tij “Jeta ime”, ka injoruar deklaratën e kryeministrit Sali Berisha dy ditë më parë, i cili e ka cilësuar Alinë përgjegjës për masakrën e Tivarit të vitit 1945. “Kam një të keqe të madhe: Unë nuk e dëgjoj Berishën”, - u është përgjigjur ish-presidenti Alia mediave. Ish-presidenti Alia u shpreh se gjatë masakrës së Tivarit në Mal të Zi ka qenë në Bosnjë dhe ka kërkuar që për këtë duhet të përgjigjen vetë kosovarët apo serbët që e organizuan atë. Ai tha se Berisha bën mirë të lexojë Enver Hoxhën për të kuptuar se çfarë ka ndodhur vërtet në këtë masakër. “Berisha ka një qëllim të caktuar që e hap këtë çështje dhe që nuk lidhet fare me këtë problem”, - tha Alia. Ish-presidenti i kohës së komunizmit shtoi gjithashtu se sundimtarët berishjanë janë një pengesë e vërtetë për vendin tonë, duke pohuar se sot kemi të bëjnë me një nihilizëm të dukshëm kudo. “Ajo që është shqetësuese është përpjekja për t’i përçarë njerëzit”, - vuri në dukje Alia, duke mos lënë pa përmendur edhe grevën e urisë së socialistëve, për të cilën tha se nuk e ka pritur mirë reagimin kundërshtues të saj prej disa intelektualëve. Ndërsa lidhur me procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe konkretisht atë të liberalizimit të vizave, Alia ka thënë shprehimisht: “Ne me Europën kemi qenë dhe me Europën jemi”. Masakra e Tivarit ka ndodhur në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, në mars të vitit 1945, kur UDB-ja jugosllave, sipas udhëzimeve të qeverisë së saj në Beograd, ekzekutoi rreth 4000 kosovarë të pafajshëm. Varreza masive e Tivarit u zbulua pas 50 vjetësh, në shtator të vitit 1996. Reagimin ndaj kryeministrit Berisha, Alia e ka bërë gjatë promovimit të librit “Jeta ime”, i cili është prezantuar nga drejtoresha e shtëpisë botuese "Toena", Irena Toçi. Ish-presidenti Alia theksoi se libri është një përpjeke për të shkruar jetën e tij. Alia në këtë libër ka përshkruar atë realitet që ka jetuar Shqipëria në kohën e regjimit komunist, me të mirat dhe me të këqijat e saj. "Tani, në moshë të kaluar, dëshira ime të kujtoja gjithçka që ka qenë e dashur për mua, që nga familja dhe shokët e deri te ngjarje më të rëndësishme", - tha Alia, duke shtuar se "është e natyrshme që në librin e shkruar nga unë, Lufta Nacional-Çlirimtare dhe rruga në jetën socialiste ka zënë një pjesë të madhe të librit". Ai bëri me dije se është ndalur në ato ngjarje ku ka marrë pjesë vetë dhe kam shkruar për ngjarjet e atyre kohëve, ashtu siç kanë ndodhur, duke hedhur poshtë shtrembërimet që janë bërë kohët e fundit. Gjithashtu, Alia theksoi se ai, në librin e tij është ndalur pak për periudhën kur Sali Berisha e burgosi. Sipas ish-presidentit, Shqipëria ende gjendet në tranzicionin e tejzgjatur dhe me shumë probleme dhe vështirësi për shtresat në nevojë.

2 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›