Zhdukja e 6-vjeçares, prokuroria nis përgjimin e të dyshuarve
Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë e ka regjistruar çështjen e zhdukjes së 6-vjeçares në fshatin Zapod në Kukës si rrëmbim, ndërsa hetimet janë përqendruar kryesisht në mbledhjen e informacioneve në rrugë operative, duke përdorur përgjimin dhe vëzhgimin. Gjatë ditëve të fundit, hetuesit e çështjes kanë përpiluar dhjetëra kërkesa për vëzhgimin e personave të dyshuar në qytetin e Kukësit, por edhe më gjerë, ndërsa nga ana tjetër shërbimet e policisë së Kukësit, por edhe të qendrës janë marrë kryesisht në zbulimin në terren të të dhënave të dobishme për hetimin. Puna është bashkërenduar midis strukturave të drejtësisë, ndërsa paraprakisht Krimet e Rënda kanë edhe të dyshuarit e parë për rrëmbimin e mundshëm. Megjithëse çështja është regjistruar si rrëmbim, prokuroria thotë se në këtë rast nuk përjashtohet asnjë pistë hetimore, që nga trafikimi i saj e deri tek eliminimi fizik. Burime nga akuza qendrore thanë për gazetën: “Një grup pune nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, me në krye prokurorin Anton Martini, po heton për gjetjen e vendndodhjes së vogëlushes, ndërsa në pyetje do të rimerren edhe njëherë të gjithë personat që kanë dijeni. Grupi hetimor është ndarë në dy pjesë, në Kukës dhe në Tiranë, ku informacionet nga terreni ballafaqohen me urdhrat e vëzhgimit dhe përgjimit”. Sipas tyre, dyshohet se, nëse është rrëmbim, autori mund të jetë njohës i mirë i zonës, pasi ka ditur shtigjet dhe është larguar pa u vënë re. Ndërkohë hetimet po përqendrohen edhe te grupet e dyshuara të trafikut të qenieve njerëzore në atë zonë. Duke qenë se Kukësi është një qytet kufitar, hetimet janë shtrirë edhe në shtetin e Kosovës, ku janë marrë kontakte me policinë lokale të qytetit të Prizrenit.
Megjithatë, edhe kërkimet e ditës së djeshme të policisë për 6-vjeçaren e humbur Bleona Mata, në Zapod, nuk kanë ndonjë rezultat. Burime të policisë dhe grupit hetimor të Krimeve të Rënda bëjnë të ditur se janë zhvilluar edhe kërkime konkrete te të afërm të familjes Mata në Maqedoni dhe në Kosovë, si dhe janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje edhe të afërm të tjerë të Bleonës. Përveç 5 vajzave të fshatit, përfshi hallën e Bleonës, të cilat qenë të fundit që e panë atë, policia ka shoqëruar edhe një numër personash të tjerë për t’i marrë në pyetje, por asgjë e dobishme nuk ka dalë prej tyre. Edhe një 29-vjeçar i arrestuar ditë më parë për dëshmi të rreme, u la i lirë, pasi u gjet krejt jashtë çdo implikimi në humbjen e vajzës. Humbja në mënyrë misterioze e Bleonës ka tronditur gjithë rajonin e Kukësit, veçanërisht Komunën Zapod, ku banorët që prej më shumë se dy javësh jetojnë në ankth për fatin e vogëlushes së humbur.
Krahas pistave të tjera, policia ende vazhdon të kërkojë përditë nëpër mal, duke mos hequr dorë nga pista sipas së cilës Bleona mund të jetë sulmuar nga egërsirat. Por disa prej banorëve që kanë ndihmuar në aksionet e pafundme të kërkimit nëpër mal, thonë se edhe një zog pule do të ishte gjetur, e jo më një fëmijë, nëse do të ishte sulmuar nga egërsirat, por është krejt e kotë të sorollatet policia nëpër mal pa asnjë adresë. Plot njerëz mendojnë, përfshi familjarët, që policia vazhdon të sakrifikojë energji duke kërkuar nëpër bjeshkë, në një terren aspak të lehtë edhe për vetë banorët e lindur dhe rritur aty. Edhe babai i 6-vjeçares ka thënë disa ditë më parë se “policia duhet të kërkojë në banesat e fshatit, sepse ndoshta Bleona mbahet peng nga persona të panjohur”.
#