E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënon me armë, ndalohet një 23-vjeçar

Peqin

Kërcënon me armë zjarri një bashkëqytetar, prangoset një 23-vjeçar nga qyteti i Peqinit. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, bëhet e ditur se rreth orës 23:00 të së shtunës u bë i mundur ndalimi i Alen Maçit, 23 vjeç, banues në lagjen “Teqe” në Peqin. Sipas të njëjtit burim mësohet se ndalimi i të riut është bërë për faktin se në afërsi të qytetit të Peqinit, i ka dalë me pistoletë 25-vjeçarit H.T., banues në lagjen “Xhami” Peqin. Ky i fundit po drejtonte automjetin pa targa në pronësi të shtetasit me iniciale R.B. Mësohet se Alen Maçi, pasi ka hapur derën e shoferit nën kërcënimin e armës, ka kontrolluar brenda automjetit dhe pastaj është larguar pa kryer ndonjë veprim tjetër. Nuk dihet ende nëse objekt i sulmit të 23-vjeçarit ka qenë 25-vjeçari apo dikush tjetër. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe të municionit pa lejen e organeve kompetente”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›