I gjendet drogë dhe armë, pranga një të riu
Policia e Elbasanit ka sekuestruar ditën e djeshme rreth 500 gramë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa dhe 357 fishekë, ndërkohë që ka arrestuar edhe zotëruesin e tyre. Zëdhënësja e Policisë së Qarkut Elbasan, Valbona Begu, bën të ditur se mbrëmjen e së shtunës është finalizuar me sukses operacioni i koduar “Atleti”, ku u bë i mundur arrestimi në flagrancë i Sami Shërmadhit, 21 vjeç. Sipas të njëjtit burim mësohet se arrestimi i tij u bë pasi, gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e motrës së tij, emigrante në Itali, që ruhej nga 21-vjeçari, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 qese farmaceutike të mbushura me bimë narkotike të dyshuar si kanabis sativa, si edhe 300 fishekë model 54. Mbas këtij kontrolli, policia ka ushtruar kontroll edhe në banesën e tij, që ndodhet në Cërrik, ku u gjet dhe sekuestrua një sasi prej 100 gramë farë bime, që për nga karakteristikat ngjason me atë të kanabis sativa, si dhe një sasi prej 75 fishekësh model 54. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit për hetime të mëtejshme.
#