E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Bleona Matës, ripyeten halla dhe kushërirat

TIRANE-Prokuroria e Krimeve të Rënda i është rikthyer sërish hetimit të çështjes për zhdukjen e Bleona Matës, 7-vjeçares për fatin e së cilës nuk është mësuar asgjë prej muajsh.
Burime pranë organit të akuzës thanë se gjatë katër ditëve të fundit janë marrë në pyetje halla dhe kushërirat e të zhdukurës, të cilat kanë qenë të fundit që kanë folur dhe e kanë parë 6-vjeçaren, e cila prej 22 majit 2010 është zhdukur pa lënë gjurmë, kur ndodhej vetëm 500 metra larg shtëpisë së saj, në kullotat e fshatit Zapod të Kukësit. “Kemi disa informacione të reja të cilat duhet t’i verifikojmë, ndaj dhe pamë të arsyeshme ripyetjen e vajzave të cilat kanë pasur kontaktin e fundit me Bleonën”, - tha një burim i prokurorisë.
Kështu, përgjatë ditëve të fundit Alketa Mata, halla e Bleonës, si dhe kushërirat e saj, Gentiana, Diana e Rudina Mata, që ndodheshin në afërsi të vendit prej nga u zhduk e mitura, janë ripyetur nga oficerët e policisë gjyqësore, duke dhënë detaje të reja lidhur me ngjarjen. Prokuroria ka qenë tejet e rezervuar lidhur me pistat e reja ku është fokusuar për të hedhur dritë mbi zhdukjen e 7-vjeçares Mata, por ripyetja e hallës dhe kushërirave të saj duket se ka nxjerrë në dritë ndonjë të dhënë që mund të ndihmojë për të rënë në gjurmët e të voglës.

Bleona Mata u zhduk që prej mesditës së 22 majit 2010, teksa kishte ndjekur pas hallën dhe kushërirat e saj që kullosnin bagëtitë. Prej atëherë nuk është gjetur asnjë gjurmë nga e mitura.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›