E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memia: “Legalizimi me letra me vlerë, çështje ditësh”

Autori i Lajmit: Silvana Balliu

Drejtori i Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia ka shpjeguar për gazetën “Ballkan” se procesi i legalizimeve me bono privatizimi do të bëhet vetëm pasi qeveria të miratojë edhe aktet nënligjore të ligjit që hyri në fuqi në dhjetor.
Drejtori i ALUIZNI-t, memia
“Nisja e procesit të legalizimit të pronës me letra me vlerë është çështje ditësh. Mund të jenë në rend të ditës për miratim edhe në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, pra këto ditë, por kjo nuk dihet me saktësi. Por, ajo që dihet e garantuar është që me kalimin e akteve normative të ligjit, Për legalizimet me Bono privatizimi do të nisë zbatimi në terren”, kështu shprehet Memia. Për sa i përket skemës së shlyerjes së detyrimeve financiare nga banorët që kërkojnë të legalizojnë banesat informale nëpërmjet përdorimit të letrave me vlerë, Memia shprehet se gjithçka do të bëhet në bazë të ligjit që ka marrë ok, nga Qeveria tashmë. Sipas drejtorit të Agjencisë, ligji parashikon që qytetarët të paguajnë 80% të vlerës së detyrimit financiar duke përdorur letra me vlerë në rastet kur objekti përdoret për banim dhe 50% të vlerës në ato raste kur objekti përdoret për biznes. Projektligji gjithashtu parashikon se si do të procedohet për shtesat në pallate. Por, sipas Memisë, nga ky projektligj nuk përfitojnë pallatet e reja që kanë deformuar lejen e ndërtimit dhe kanë ndërtuar kate më shumë se sa kanë pasur në projekt. Ndërsa për shtesat në pallatet e vjetra është parashikuar që edhe këta qytetarë të paguajnë 80% të vlerës nëpërmjet letrave me vlerë, ose siç quhen ndryshe, nëpërmjet bonove të privatizimit.
Ligji
Ligji parashikon dy elemente të rëndësishme për sa i përket shlyerjes së detyrimit financiar nëpërmjet përdorimit të bonove të privatizimit. Elementi i parë parashikon rastin kur parcela ndërtimore ka për funksion banimin. Në këto raste poseduesi i objektit informal mund të shlyejë 80% të detyrimit financiar duke përdorur bonot e privatizimit ose letrat me vlerë. Në rastet kur parcela ndërtimore ka funksion social ekonomik, poseduesi ka mundësi që nëpërmjet skemë së re financiare të paguajë detyrimin financiar duke përdorur letrat me vlerë për 50% të vlerës. Edhe për shtesat e pallateve ekzistojnë dy elemente të rëndësishme. Në rastet kur shtesa është bërë në pallatet e vjetra të para vitit 1993 dhe kur shtesa përdoret për banim, qytetari shlyen 80% të vlerës financiare me bono privatizimi. Në rastet kur shtesa është bërë në katet e para, atëherë poseduesi paguan 50% të detyrimit financiar, por vetëm për pjesën takuese. Pjesa takuese është vetëm pjesa që i takon banorit të katit të parë. Në rast se pallati është pesëkatësh dhe pjesa që i takon atij të katit të parë është rreth 100 metra katrorë, atëherë ai do të paguajë vetëm 1/5 e sipërfaqes. Ndërsa pjesa tjetër do të paguhet nga banorët e tjerë të pallatit.

Në miliona lekë

Gjendja e bonove të privatizimit

Të shpërndara: 51 229 000 000, ose 68,3%

Të pashpërndara: 23 748 000 000, ose 31,7%

Totali: 74 977 000 000, ose 100%

Të përdorura në privatizim: 10 935 193 000, ose 14,6%

Të papërdorura: 64 041 807 000, ose 85,4%

Skema

Parcelë ndërtimore që përdoret për banim, 80% të vlerës me letra me vlerë

Parcelë ndërtimore që përdoret për biznes, 50% të vlerës me letra me vlerë

Shtesat në pallatet e vjetra që përdoren për banim, 80% të vlerës me letra me vlerë

Shtesat në pallatet e vjetra që përdoren për biznes, 50% të vlerës me letra me vlerë

Shtesat në pallatet e reja shlyhen vetëm me para kesh dhe nuk përfshihen në skemë

Rritet përqindja e letrave me vlerë

Përqindja e letrave me vlerë që pritet të përdoren në procesin e legalizimeve të ndërtimeve informale, apo siç njihen ndryshe bono privatizimi, është rritur me tu miratuar ligji, ndërkohë që kanë ruajtur të njëjtën vlerë edhe në ditët e para të këtij viti. Nga një vëzhgim i bërë një ditë më parë në tregun e lirë valutor rezulton se ato këmbehen deri në 21 për qind, ndërsa pak muaj më parë ato këmbeheshin vetëm 3-4 për qind. Ky treg është rizgjuar menjëherë pas përsëritjes së disa javëve më parë të deklaratës së kryeministrit Berisha, se bonot që qytetarët kanë nëpër shtëpi do të rimarrin vlerën e tyre, pasi do të përdoren gjerësisht në procesin e legalizimeve. Për këtë qëllim qeveria pret që të miratojë në fillim të legjislaturës së re parlamentare projektligjin që do të vërë sërish në përdorim këto letra me vlerë për procesin e legalizimeve. Bonot e privatizimit janë rikthyer në treg me një rritje të ndjeshme të vlerës së tyre që nga mesi i muajit qershor. Gjatë periudhës së qeverisjes socialiste ky proces ndenji pezull, duke mos i konvertuar letrat me vlerë në aksione. Sipas të dhënave, rreth gjysma e letrave me vlerë u mbetën në dorë qytetarëve kur ligji i vitit 1998 nuk u zbatua. Sipas ligjit të vitit 2008, në kuadrin ligjor për realizimin e procesit të privatizimit për sektorë strategjikë dhe jostrategjikë, u parashikuar pjesëmarrja e letrave me vlerë ose bonove të privatizimit. Sipas të dhënave zyrtare, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave i janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë.

Ky lajm është publikuar: 06/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›