E Diel, 1 Nëntor 2026

ALIBITë E RREZIKSHME Të NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE

Koha e sotme që përjeton shoqëria shqiptare karakterizohet nga një tërësi procesesh intensive të zhvillimeve në politikën shqiptare. Për fat të keq, në këto zhvillime janë proceset negative që po dominojnë në vendimmarrje. Ky fakt u shfaq dukshëm ditët e fundit, ku procesi i debatit dhe i votimit të ndryshimeve kushtetuese në seancën parlamentare u përshkua tej e tej nga alibi dhe vendime të rrezikshme politike thuajse të tipit fashist. Në këto zhvillime, të cilat janë tepër shqetësuese për të ardhmen e tërë shoqërisë, këto alibi të rrezikshme po shoqërohen me dukuri të rëndësishme që kanë të bëjnë me siguri edhe me një riformatim të politikës së sotme shqiptare në të dy anët e spektrit të saj.

***

Alibitë politike që vazhdojnë të shoqërojnë debatin dhe procesin e votimit të ndryshimeve kushtetuese kanë për qëllim të mbulojnë rrezikshmërinë e zbatimit të tyre në situatë kruçiale që mund të shfaqen në një të ardhme ndoshta jo të largët. Menjëherë pas seancës famëkeqe që miratoi këto ndryshime, Berisha nxitoi ta konsideronte këtë akt si një moment të madh historik për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj dhe si fundin e epokës së krizave politike dhe parlamentare. Në mënyrë sinkrone, siamezi Rama i përforcoi konsideratat e aleatit të tij të madh, duke u shprehur se ky akt shënoi fundin e deformimeve në rezultatet e proceseve zgjedhore që do të zhvillohen në Shqipëri.

Nga ekstaza e fitores antikushtetuese në Parlament, Rama&Berisha kërkojnë ta mbulojnë me alibitë e tyre të reja, realizimin e një vazhdimësie me çdo kusht të pushtetit të tyre politik dhe qeverisës. Këto alibi të reja të tyre i kanë rrënjët në kohërat e vjetra të instalimit të fashizmit. Rama&Berisha e dinë fare mirë se burimi i të gjitha krizave politike dhe qeverisëse, i stanjacionit ekonomik dhe deri gjëmave të mëdha ka qenë, sipas rastit dhe në përgjithësi, politika shterpë dhe destruktive deri në papërgjegjshmëri, e mazhorancave të drejtuara reciprokisht nga lidershipet PD&PS të kohës. Duke shkelur dhunshëm edhe mbi Gërdecin tragjik dhe fatkeqësinë hata të njerëzve të tij, ata e dinë se me procedurat e tyre të turpshme të zbatuara në seancën parlamentare përgatitën Gërdecë dhe Dushqe të tjerë kushtetues dhe elektoralë që historia nuk do t‘ua falë.

Që ky akt i miratimit të ndryshimeve kushtetuese përbënte një moment historik, nuk ka kurrfarë dyshimi. Veçse në kuptimin më negativ të kësaj fjale, në kuptimin më antidemokratik të këtij procesi. Ky akt përbën një moment të zi historik për Shqipërinë. Për të mbajtur me çdo kusht në mënyrë të njëkohshme apo rotative pushtetin e tyre, gangsterët e vjetër e të rinj të politikës së sotme qeverisëse shkelën përdhunshëm procedurat e hartimit, propozimit dhe të miratimit të ndryshimeve në Kushtetutë, si dhe afatet kohore në zbatimin e tyre. Gangsterët e politikës së vjetër nëpërkëmbën e injoruan tërë institucionet e shoqërisë shqiptare, mendimin e kualifikuar të personaliteteve të saj politike dhe juridike, si dhe të institucioneve të specializuara ndërkombëtare, duke përdhosur në mënyrën më të turpshme edhe komisionin parlamentar për reformën zgjedhore.

***

Një nga këto dukuri konsiston në shpërthimin dukshëm të së keqes në Parlamentin e deformuar të MegaDushkut, e cila u përfaqësua nga gangsteri veteran i politikës së vjetër, Berisha, dhe gangsteri i ri i kësaj politike, Rama, të cilët u bashkuan tërësisht për ndryshimin antikushtetues të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Ata u "bënë një" në seancën parlamentare, duke ngjizur përmes procedurash të dhunshme farën e së Keqes. Në kontekstin e mësipërm, mund të konsiderohet se në këtë tërësi procesesh intensive të zhvillimeve negative të politikës shqiptare, Rama nuk i rezistoi dot etjes permanente për pushtet të pafund qeverisës, duke rënë në krahët e Berishës. Sidoqoftë, në këtë proces edhe Rama nuk është se mbetet pa gjë. Ai po fiton Berishën dhe bashkëqeverisjen specifike me të.

Në këtë tërësi zhvillimesh dallon veçanërisht edhe reagimi i vrullshëm politik i Ilir Metës dhe forcës politike që ai drejton, i pasuar edhe nga politikanë të tjerë, të cilët, gjithsesi nuk pajtohen me këtë të Keqe që dominon në politikën qeverisëse të sotme dhe që e ka bazën në shkallën e lartë të përçudnimit të Parlamentit. Mbi të gjitha, ky reagim dinamik i tij po mbështetet çdo ditë e më tepër nga shtresa të gjëra të shoqërisë shqiptare, që kërkojnë përfaqësim, mundësi zhvillimi dhe mirëqenie, kundër injorimit, stanjacionit dhe varfërisë që po e sundon gjithnjë e më shumë këtë vend. Në të njëjtin kontekst të zhvillimeve të sotme politike, Meta u karakterizua nga vendosmëria, luajaliteti dhe, mbi të gjitha, nga besnikëria ndaj shtresave dhe kategorive sociale që përfaqësojnë dhe mbështesin të majtën shqiptare. Pas seancës famëkeqe të Parlamentit, situatat po tregojnë se ai ka tashmë iniciativën politike të cilën po e përdor energjikisht. Në këtë proces, Meta duket se po fiton drejtimin e të majtës shqiptare në opozitë.

***

Situata kushtetuese, e rrënuar nga politikanë dhe parlamentarë të papërgjegjshëm dhe në tërësi pa integritet, mund dhe duhet të rivendoset vetëm nga shoqëria shqiptare. Ftesa për referendum drejtuar nga Ilir Meta tërë shtresave dhe kategorive të ndryshme sociale të kësaj shoqërie, është shprehje reale e një iniciative energjike për të mbrojtur dhe zhvilluar demokracinë dhe pluralizmin. Mbështetja pa hezitim e referendumit do të konsiderohej detyrë qytetare dhe patriotike. Ky referendum do të ishte ngjarja më vitale e shoqërisë sonë në këtë proces të rrezikshëm të zhvillimeve, duke përkufizuar gjithsesi në sintezë, se në këtë proces të sotëm të riformatimit të politikës, Meta po fiton të Majtën, ndërsa Rama, fitoi... Berishën.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›