E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e shqiptares, belgët kërkojnë ndihmën e autoriteteve tona



Policia e Belgjikës ka kërkuar ndihmën e homologes së saj shqiptare dhe të qytetarëve shqiptare për të gjetur shtetasen e humbur dy vite më parë në Belgjikë, Albana Margjeka. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ajo është shpallur e humbur në Belgjikë që më datë 15 janar 2008. “Albana Margjeka, 30 vjeç, më 15 janar 2008, rreth orës 14:00, ka lënë banesën e saj në Ham-Sur-Heure/Nalinnes, rruga ‘Bois Rombut’s, në Belgjikë. Pas kësaj date nuk ka më asnjë gjurmë të saj. Për këtë arsye autoritetet belge kanë kërkuar ndihmën e Policisë së Shtetit për të gjetur këtë shtetase”, - thuhet në njoftimin e Policisë belge. Policia shqiptare kërkon bashkëpunimin e qytetarëve shqiptarë që kanë informacion për Margjekajn, të cilët mund të kontaktojnë me shërbimet e Policisë së Shtetit në numrin pa pagesë 129. Policia e vendit tonë jep detaje dhe për pamjen fizike të Margjekës. Sipas njoftimit të policisë, ajo “është rreth 1 m e 65 cm, me trup të dobët dhe flokë të zinj të prerë shkurt. Në momentin e zhdukjes ajo ishte veshur dukshëm me veshje sportive të zezë. Margjeka është parë të lëvizë me mjetin e saj tip ‘Volkswagen Golf’ me targë XQM 558”, - thuhet në njoftim.
Godet me levë policin përpara komisariatit, pranga të riut
TIRANË – Godet me levë në kokë efektivin e policisë përpara komisariatit, vihet në pranga Fuat Xhima. Policia e kryeqytetit njofton se ngjarja ka ndodhur pasditen e së mërkurës, kur Xhima ka parkuar makinën para Komisariatit Nr. 6 dhe ka pritur derisa të kalonte efektivi i uniformave blu. Në njoftimin zyrtar të policisë nuk bëhen të ditura shkaqet e agresionit. Ndërsa sqarohet se specialistët e Seksionit Kundër Akteve Terroriste e kanë arrestuar në momentin e sulmit shtetasin 23-vjeçar. Ndërsa efektivi i uniformave blu është jashtë rrezikut për jetën, në spital. Policia bën të ditur se materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të shtetasit Fuat Xhima do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”.
Aksidenti, humb jetën 59-vjeçarja
SHKODËR – Humb jetën 59-vjeçarja nga përplasja me një automjet. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme kur 59-vjeçarja L. Vajushi ishte duke udhëtuar me biçikletë në aksin rrugor Shkodër-Koplik. Ajo është aksidentuar nga një automjet tip “Audi” që drejtohej nga 25-vjeçari Bekim Kapedani, duke gjendur vdekjen e menjëhershëm. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e duhura procedurale e hetimore. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit, Bekim Kapedani, është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër.
Vetëhelmohen dy gra në Durrës duke pirë fostoksinë
DURRËS – Dy gra i japin fund jetës duke zgjedhur të pinë fostoksinë. Të dyja gratë, respektivisht 56 dhe 59 vjeçe, kanë qenë nga rrethi i Durrësit. Viktima e parë u shënua dje në orën 06:00, ku 56-vjeçarja nga Shijaku, D. G., ishte sjellë me urgjencë nga të afërmit e saj. Mjekët thanë se depërtimi në organet vitale të helmit të llojit fostoksinë që 56-vjeçarja kishte pirë në dozë të mjaftueshme për të gjetur vdekjen, bëri që ajo të mos shpëtonte. “Nga veprimet e para hetimore të kryera në vendin e ngjarjes rezultoi se kjo shtetase kishte rreth 12 vjet që vuante nga depresioni nervor dhe rreth orës 05:00 të ditës së djeshëm ka kërkuar ndihmë duke u shprehur se ka pirë fostoksinë”, - thanë burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Durrësit. Nga tërësia e veprimeve të para hetimore të kryera mendohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e vetëhelmimit me fostoksinë.
Pak orë pas të parës, një tjetër grua, këtë radhë 59-vjeçarja S. G., nga Sukthi i rrethit Durrës, u paraqit në Spitalin Ushtarak të Tiranës rreth orës 11:00. Me gjithë përpjekjen e bërë nga mjekët për ta mbajtur në jetë, kjo nuk ishte e mundur pasi fostoksina që gruaja kishte pirë, si një helm i fortë e kishte bërë punën e vet. Policia tha se nga hetimet që kreu edhe mbi këtë ngjarje, 59-vjeçarja është vetëhelmuar me fostoksinë si pasojë e depresionit nervor, por gjithsesi, për të dy rastet, po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të vdekjeve.

19 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›