E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa harron titullin, tani sytë te Kupa



Besa, vendi i dytë në Superligë, 39 pikë, është e vetëdijshme se titulli kampion është pronë e padiskutueshme e Dinamos, 54 pikë.
Tashmë stafi kavajas të gjitha forcat i ka vënë të Kupa e Shqipërisë, trofe të cilin e ka fituar vetëm një herë në edicionin 2006-2007 kur në finale mposhti 3-2 Teutën, kundërshtarja e radhës në javën e 22-të të sezonit aktual të Superligës. Besa hodhi një hap të madh drejt gjysmëfinaleve të Kupës, pasi mposhti 2-0 Tiranën në ndeshjen e parë çerekfinale (gola nga Bledar Mancaku dhe Daniel Xhafaj). Takimi kundër Teutës së vendit të 6-të, 29 pikë, paraqitet i vështirë për Besën. Në fazën e parë dy skuadrat u ndanë në një barazim 1-1 në “Niko Dovana”, ndërkohë që Teuta është edhe çerekfinaliste e Kupës përballë Gramozit modest, ndaj të cilit fitoi së fundi në kampionat 2-0. Gjithsesi, dy presidentët Bizhdili (Besa) dhe Hasanbelliu (Teuta) kanë qenë shumë luajalë dhe të mirëkuptueshëm me njeri-tjetrin dhe hallet e dy klubeve të tyre, e një barazim i dytë sezonal nuk do të ishte i paarritshëm. Në javën e 21-të, Besa humbi në kampionat 1-0 me Dinamon, duke i dhënë fund ëndrrës për titull, përveç faktit se do të jetë skuadra kavajase e pranishme në ceremoninë zyrtare të dorëzimit të trofeut në “Qemal Stafa”, pasi në javën e 33-të e të fundit, do të jenë përballë njëra-tjetrës, Dinamo e Besa.

Laçi, dollarë për fitoren ndaj Tiranës

Presidenti i Laçit, Pashk Laska, shpërbleu lojtarët e tij me nga 250 USD për kokë për fitoren me 3-2 me Flamurtarin, post-ndeshja e së cilës u mbërthye nga shumë polemika në media midis dy klubeve. Laçi, një klub i themeluar në vitin 1960, është duke bërë një sezon të madh, më të mirin në historinë e tij 10 vjeçare në Kategorinë Superiore, ku për herë të parë ka marrë pjesë në sezonin 1991-1992. Ndeshja e radhës është ajo kundër Tiranës së vendit të tretë në kryeqytet, e me të cilën e ndan vetëm një pikë pas 21 javësh të luajtura: Tirana, 32; Laçi, 31 pikë. Në ndeshjen e fazës së parë, Laçi fitoi 1-0 në shtëpi, pas një autogoli të realizuar nga nga mbrojtësi i Tiranës, Tefik Osmani në minutën e 45-të. Sulmuesi Arlind Nora (8 gola këtë sezon) do të jetë i gatshëm, ndërkohë që kthehet në dispozicion të trajnerit Stavri Nica mbrojtësi Jetmir Nino, ndërsa i pezulluar është Valdet Nimani.

Josa: “Tri pikët detyrim”

Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, e nisi debutimin e tij me një humbje 3-2 në Shkodër me Vllazninë, por në ndeshjen e radhës, atë me Shkumbinin (java 22), ish-tekniku i Teutës synon fitoren: “Besoj te forca jonë. Tri pikët Shkumbinin janë detyrim për të ardhmen e Skënderbeut”. Josa, trajneri i tretë sezonal i korçarëve pas Gerti Haxhiut dhe Andrea Markos, do të ketë në dispozicion kundër Shkumbinit, sulmuesin serb Sasha Stojanoviç.
Skënderbeu bëhet kështu me një vijë të parë me pesë sulmues Klodian Asllani, Enco Malindi, Erlis Frashëri si dhe kroatin Milain Guerrib e serbin Sasha Stojanoviç. Në ndeshjen e fazës së parë, Skënderbeu humbi 1-0 me Shkumbinin në Peqin. Golin e fitores për bardhekaltërit e drejtuar atëherë nga Kristaq Mile e realizoi Erjon Mustafaj në minutën e 57-të. Mustafaj është i pezulluar për ndeshjen me Skënderbeun.

18 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›