E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana bën sherr me M’Baminë në stërvitje

Seanca stërvitore e ditës së enjte e Olimpikut të Marsejës ka qenë e trazuar pas një zënke midis kapitenit shqiptar, Lorik Cana dhe mesfushorit kamerunas Modeste M’Bami.

Fatjon Kodra

Një episod që duket se ka prishur disi ekuilibrat e Marsejës, që ndodhet para dy ndeshjeve kyç të sezonit, ku do të përcaktohet nëse do të luhet në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm apo në Kupën UEFA. Sipas asaj që shkruan “La Provence”, Cana dhe M’Bami kanë debatuar ashpër dhe është dashur ndërhyrja e stafit teknik për të shmangur një konfrontim fizik.
Shkaku
Shkak për këtë zënkë, është bërë një ndërhyrje e rrezikshme me taka e mesfushorit kamerunas ndaj lojtarit të kombëtares shqiptare. M’Bami ka pretenduar se po përpiqej që të kapte topin, por kjo ka sjellë edhe reagimin e ashpër të Canës, i cili ia ka kthyer: “Kujt i tregon se po kërkoje topin me atë ndërhyrje? Po më bën për budalla? Topi ishte dy metër larg”. Menjëherë, gjakrat janë ndezur, ndërsa trajneri Gerets dhe ndihmësi i tij kanë ndërhyrë, duke larguar menjëherë nga stërvitja kamerunasin M’Bami. Tekniku i Marsejës ka konfirmuar se nuk do të marrë asnjë masë ndëshkimore ndaj lojtarëve, ndërkohë që u ka kërkuar atyre që të ruajnë qetësinë deri në fund.
Situata
E veçanta është se Cana dhe M’Bami kanë luajtur së bashku edhe te Paris Sent Zhërmeni, prej nga erdhën për t’u transferuar te Marseja. Të dy futbollistët kanë të njëjtin pozicion në fushë dhe te PSG-ja nuk ndodhte të luanin të dy njëherësh në formacionin bazë. Sipas mediave franceze, situata është qetësuar në dhomat e zhveshjes, teksa të dy lojtarët janë parë të bisedojnë qetësisht me njëri-tjetrin. Marseja po lufton me Nansin “dhëmb për dhëmb” për vendin e tretë në renditje, që siguron një biletë për në Ligën e Kampioneve. Nëse Olimpiku i Marsejës nuk arrin të sigurojë një vend në Ligën e Kampioneve, atëherë e ardhmja e Lorik Canës te ky klub mund të vihet në diskutim.

Gjyqtar shqiptar në Spanjë-SHBA

Miqësorja e luksit Spanjë-SHBA do të drejtohet nga një treshe gjyqtarësh shqiptarë. Lajmi është konfirmuar nga zyra për shtyp e FSHF-së, ku dje ka mbërritur një kërkesë me anë të faksit nga homologët spanjollë. Kështu, më datë 4 qershor kombëtarja spanjolle do të zhvillojë një ndeshje miqësore në kuadër të përgatitjeve për finalet e Kampionatit Evropian, që do të zhvillohet në Zvicër e Austri. Sipas gjasave, miqësorja do të luhet në një qytetin ku do të jetë e grumbulluar kombëtarja spanjolle e drejtuar nga veterani Luis Aragones. FSHF ka pranuar që të jetë një treshe gjyqtarësh që të drejtojë këtë takim, ndërkohë që ende nuk ka vendosur se cilët do të jenë ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›