E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhgënjen Argjentina, Mesi: Pësuam nje gol m...

BUENOS AIRES- Argjentina e ka nisur me një barazim zhgënjyes 1-1 ndaj Bolivisë aventurën e saj në Coppa America, duke treguar se pavarësisht yjeve të shumtë që ka në organikë, shumë gjëra nuk funksionojnë ende siç duhet. Ndeshja hapëse e turneut ka qenë një dështim për ekipin e Batistës, që e ka parë veten në disavantazh në minutën e 48-të, pas golit të Edivaldos.

Serxhio Aguero barazoi shifrat çerek ore para fundit, por megjithë dëshirën e madhe, skuadra pritëse nuk mundi të gjejë dot fitoren. Barazimi ka bërë që menjëherë të shpërthejnë polemikat në shtypin argjentinas, ndërsa edhe këtë herë në shënjestër ka përfunduar Lionel Mesi. “Pleshti” është akuzuar sërish se nuk jep të njëjtin rendiment si te Barcelona kur shkon në kombëtare, ndërsa ai vetë ka kërkuar qetësim të gjakrave.

 “Tani të mos bëhemi të çmendur”, ka thënë lojtari më i mirë i botës. Më pas, atij i kanë shpëtuar edhe disa komente paksa të ekzagjeruara. “Na surprizuan me një gol m..., por për fat Aguero arriti të barazonte. Tani, më shumë se kurrë duhet qetësi. Nuk shkoi siç prisnim, por tani nuk duhet të nisim të çmendemi, por të mendojmë për të fituar dy ndeshjet e radhës. Objektivi ynë ishte të fitonim dhe nuk arritëm, por bëmë edhe disa gjëra të mira. Nuk e humbëm kontrollin e ndeshjes, ndonëse Bolivia u mbyll dhe nuk arritëm të zhbllokoheshim. Nuk shkoi siç prisnim, por mbeten ende dy ndeshje dhe ato duhen fituar”,- shtoi Mesi.

Ndërkohë, autori i golit Serxhio Aguero, ka mbrojtur Leo Mesin nga kritikat. “Leo duhet mbështetur dhe ndihmuar. Na ndodhi si herët e shkuara, me një mbulim kaq asfiksues bëhet e vështirë të luash. Por, tani duhet ta mbështeësim”, tha ai.

“Duhet të kuptojmë si t’ia bëjmë për të shfrytëzuar sa më mirë aftësitë e Mesit, - tha Havier Zaneti. – Bolivia e gjeti golin me shumë fat, më pas Argjentina krijoi raste dhe pas barazimit mund të kishim fituar. Gjithsesi, nuk duhet të shqetësohemi, por të shohim përpara”, shtoi ai. “Skuadra dha gjithçka, - u shpreh trajneri Serxhio Batista. – Nuk mund të jem i kënaqur vetëm me rezultatin, sepse objektivi i vetëm ishte fitorja. Për ne është e vështirë të luajmë si Barcelona, por ideja kryesore është kontrolli i topit dhe me Bolivinë bëmë diçka të mirë në këtë aspekt. Bolivia nuk na la shumë hapësira, por këtë e prisnim”,- përfundoi Batista. Argjentina ndodhet në grup me Bolivinë, Kolumbinë dhe Kosta Rikën.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›