E sheh me të dashurën, e godet dhe e kanos me armë
Një histori e pazakontë ka ndodhur dje në mes të Tiranës, ku i dashuri i një vajze ka plagosur dhe kanosur djalin e xhajës së saj, pasi mendonte se ishte rivali i tij. Ngjarja ka ndodhur në bulevardin “Zogu I”, ku dy persona i kanë dalë përpara një çifti. Sipas të dhënave, Halim Haxhiu, 20 vjeç, dhe Zhaneta Osmani, 25 vjeçe, kushërinj të parë, po ecnin në bulevard, kur dy persona të identifikuar, të cilët janë shpallur në kërkim, u kanë dalë përpara. Ata kanë nisur të debatojnë dhe më pas, një prej tyre ka nxjerrë një pistoletë. Haxhiu është goditur me qytën e armës në kokë dhe ka rënë pa ndjenja përtokë. Nga goditja, karikatori i pistoletës ka rënë përtokë dhe në vendin e ngjarjes janë gjetur katër fishekë. Më pas, vajza ka bërtitur, ndërkohë që dy autorët janë larguar me shpejtësi.
Shërbimet e Komisariatit Nr. 3 kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë dokumentimin e saj. Sipas të dhënave, një prej tyre ishte i dashuri i vajzës, e cila është e divorcuar. Ai ishte zënë me djalin e xhaxhait të saj, Haxhiun, edhe tri ditë më parë, pasi mendonte se ai ishte i dashuri tjetër i saj. Konflikti i parë ka ndodhur te Rruga e Barrikadave, ku banon vajza 25-vjeçare. Në këto kushte, dje i kanë ndjekur për të rrahur djalin 20-vjeçar, pa e ditur se kush ishte. Policia tha se po punon për kapjen e autorëve.
#