E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhgënjen Spanja, Zvicrafiton me anë të Katenaços

AFRIKE E JUGUT- Zvicra ka shkaktuar surprizën e radhës në Botërorin e Afrikës së Jugut, duke mposhtur 1-0 Spanjën, skuadrën kampione të Evropës në fuqi dhe pretendenten kryesore për të fituar Kupën e Botës. Kishte një pritshmëri të madhe për të parë ekipin e Del Boskes, pa më të voglin dyshim më i kompletuari i këtij turneu, megjithatë helvetikët kanë arritur të marrin 3 pikët falë një loje katenaço dhe që nuk u ka lejuar yjeve iberikë të dilnin në lojën e tyre. Humbja e sotme është një gabim i rëndë për spanjollët, të cilët tashmë rrezikojnë të përplasen me Brazilin që në 1/8 e finales. Askush nuk e mendonte një triumf të Zvicrës, por trajneri Otmar Hitcfeld e kishte paralajmëruar përpara fillimit të takimit se ekipi i tij do të tentonte surprizën. Në pjesën e parë, në fushë ka qenë vetëm Spanja, e cila rastin më të mirë e pati me mbrojtësin Zherard Pike. Por, pasi iu shmang mbrojtjes, ai gaboi përballë portierit Benaljo. David Vija tentoi me një aksion personal, por parabola e tij ishte e pasaktë. Po ashtu, një tjetër gjuajtje erdhi nga David Silva, por pa rrezikuar portierin helvetik. Në pjesën e dytë kampionët e Evropës nisën të ushtronin presion në portën e Zvicrës, por pa qenë shumë konkret. E kur pritej avantazhi i tyre, braziliani i natyralizuar Gelson Fernandes si zvicerian arrin të realizojë në të parin aksion të skuadrës së tij. Një moment i dyshimtë, për shkak se Pike mori një goditje me shkelm në kokë, megjithatë gjyqtari anglez Ueb lejoi avantazhin. Pas këtij momenti, e gjithë loja u zhvendos në portën helvetike. Del Boske hodhi në fushë Torres, Navas dhe Pedro, por rasti i vetëm i mirë ishte një traversë e Ksabi Alonsos. As 5 minutat shtesë nuk sollën asgjë dhe Spanja u detyrua të dalë kokulur nga stadiumi i Durbanit, në pritje tashmë të një hapi fals të skuadrës së Hitcfeld. Në të kundërt, në 1/8 e finales, natyrisht në rast kualifikimi, kampionët e Evropës do të ndeshen me Brazilin. Një sfidë, që sigurisht nuk është një makth për ta.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rezultatet live ne faqen e FIFA-s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›