Zhigolo: Kam klientë lojtarë të Serisë A
Nuk pranon të zbardhë emra konkretë në lidhje me atë që thotë, por është e sigurt se deklaratat do të bëjnë shumë zhurmë. Një lojtar i "Lega Pro" italiane, jashtë fushave të futbollit punon si zhigolo. Në një rrëfim të tij të bërë në mediat italiane, ai ka zbuluar se mes klientëve të tij janë edhe disa nga lojtarët e Serisë A. "Një mijë e pesëqind euro për pak orë. Dhe janë pikërisht futbollistët ata që paguajnë pa e vrarë shumë mendjen, pasi atyre ua mban xhepi edhe shpenzime të tilla", pohon futbollisti i "Lega Pro", i njohur me emrin Viktor. Sipas rrëfimit të zhigolosë në fjalë, "të shumtë janë futbollistët biseksualë, madje disa prej tyre edhe të martuar. Shpesh i takoj në hotele të dielën në mbrëmje pas ndeshjeve. Disa prej tyre luajnë edhe në Kombëtaren e Italisë dhe janë të terrorizuar nga ideja se mund të zbulohen". Viktori bën jetë të dyfishtë: futbollist profesionist i "Lega Pro", i fejuar, por punon edhe si zhigolo. Ai ka pranuar të flasë për profesionin e tij të dytë, ku edhe ka pohuar se frekuentuesit e shërbimit që ai ofron janë edhe lojtarë të Serisë A. "Takohemi pas ndeshjeve, ka shpjeguar ai në një intervistë, e cila do të transmetohet në televizionin ‘La7‘. Kërkojnë të relaksohen. Nuk e kanë aspak problem që të puthen në buzë, por ndihen shumë të terrorizuar nga ideja se mund t‘i zbulojë dikush, pasi kështu mund t‘ju rrezikohet karriera". Zhigoloja në fjalë nuk pranon që të zbulojë emrat konkretë të personazheve të Serisë A, por nuk kursehet në dhënien e detajeve të këtyre takimeve me futbollistë. "Në tri raste më kanë kërkuar që të bëjnë dashuri në grup me shumë lojtarë të së njëjtës skuadër, por edhe me miq të tyre, të ardhur nga skuadra të ndryshme, vazhdon rrëfimin e tij Viktori. Është vetëm një çështje seksuale, pa asnjë fjalë. Mundohen ta ruajnë shumë privatësinë e tyre dhe kanë një frikë të tmerrshme se mos i zbulon ndokush. E dinë që edhe unë luaj futboll, por nuk është se më marrin për këtë arsye. Shumë prej tyre janë biseksualë. Në kampionatin italian, të paktën deri tani, asnjë lojtar nuk e ka pranuar se është ‘gay‘".