E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhilla: Heqja e tasksës së aeroportit me Turqinë lajm i mirë për të gjithë

Heqja e taksës prej 10 eurosh me Turqinë është një lajm i mirë jo vetëm për shqiptarët, të cilët vizitojnë resurset turistike të këtij vendi, por edhe për biznesin turk, pasi investimet turke në dy vitet e fundit kanë njohur një rritje të madhe. Presidenti i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ilir Zhilla, tha se ky hap  i  ndërmarrë nga qeveritë e të dy vendeve, është i rëndësishëm jo vetëm për kompanitë turistike që operojnë me Turqinë, i cili është vendi që shqiptarët e vizitojnë më shumë, por edhe për bizneset, pasi dy vitet e fundit kanë qënë shumë intensive përsa i takon investimeve turke në Shqipëri dhe mund të themi se investimet turke mbase kanë dalë në krye të të gjithë vendeve të tjera. "Kjo ka ardhur edhe për shkak të lehtësirave që ka dhënë qeveria turke për shqiptarët, për të hyrë në resurset turistike të Turqisë", deklaroi Zhilla.  Sipas tij, në këtë drejtim, më shumë se 10 euroshi i kursyer për çdo shqiptar që viziton Turqinë dhe koha që kursen ai nga shkurtimi i kësaj procedure, e rëndësishme është mirëbesimi dhe interesi reciprok që shprehin dy qeveritë tona, në interes të qytetarëve të tyre. Duke e konsideruar autostradën Durrës-Kukës, si investimin më të madh të qeverisë shqiptare, Zhilla shprehet se nga kontaktet me kompani që kanë marrë pjesë në ndërtimin e rrugës, mjaft prej tyre kanë vendosur të jenë prezent edhe në të ardhmen për investime të tjera në Shqipëri. Zhilla vlerëson se arritja e kësaj marrëveshjeje përbën një lehtësi edhe për palën turke, pasi janë të shumtë në numër investitorët, por edhe specialistët turq që udhëtojnë drejt vendit tonë. Kreu i UDHTI shtoi se nga ana e biznesit shqiptar, në takimet e shumta me homologë greke dhe të vendeve të tjera, gjithmonë është shtuar kërkesa për të arritur në një liberalizm vizash, gjë e cila do të rriste mundësinë e shqiptarëve për të vizituar vende si, Greqia dhe Italia.

Lidhur me faktin nëse UDHTI do të bëhej palë me qeverinë për të kërkuar nga vendet fqinje ndërmarrjen e një hapi të tillë, Zhilla tha se "do të ishte një hap të cilit i ka kaluar koha, pasi vitin që vjen gjasat janë që vizat të liberalizohen në një masë të konsiderueshme dhe çdo përpjekje e re në këëë drejtim do të bëhej e pavlefshme". Por ai theksoi se edhe nga ana e qeverisë italiane ka prej disa kohësh një procedurë më të shpejtë dhe më të liberalizuar për problemin e vizave. "Po kështu edhe përfaqësia kroate në Tiranë në drejtim të biznesit ka qënë shumë e hapur dhe me procedura tepër të shpejta dhe korrekte", deklaroi përfaqësuesi i biznesit shqiptar, Ilir Zhilla. Këshilli i Ministrave miratoi një ditë më parë marrëveshjen me Turqinë për heqjen e taksës prej 10 eurosh, të cilën shtetasit shqiptarë dhe turq paguanin në aeroportet reciproke.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›