Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve: kemi projekte të reja për përmirësimin e infrastukturës në burgje

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka hartuar disa projekte për përmirësimin e infrastrukturës të sistemit penitenciar, me ndërtimin e disa burgjeve dhe paraburgimeve të reja. Burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve bënë të ditur sot se një ndër këto projekte është ai për ndërtimin e një burgu të ri në Tiranë, në zonën e Kamzës. Nga ana e kësaj Drejtorie mësohet se është rënë dakord me Bashkinë e Kamzës që të merren 40.000 m2 truall. Ndërsa, i gjithë dokumentacioni i është dërguar Ministrisë së Drejtësisë për të vazhduar me procedurat e mëtejshme për nxjerrjen e Vendimit nga Qeveria. Gjithashtu, janë siguruar dhe hipotekuar troje të tjera si në Gjirokastër, Kukës e Shkodër për ndërtimin e burgjeve të reja. Ndërkohë, parashikohet ndërtimi i disa institucioneve penitenciare në Elbasan dhe Fier, ku studioja projektuese është kontraktuar nga BE. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në buxhetin e vitit 2009, janë parashikuar investime në vlerën 67 milionë lekë për përmirësimin e kushteve dhe standardeve për të dënuarit dhe parabugosurit. Pjesë e investimeve në këtë fushë, ndër të tjera, janë rikonstruksioni i disa paraburgimeve dhe burgjeve në rrethe, midis tyre edhe i Spitalit të Burgut në Tiranë.
...