E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seri bombardimesh në Irak, 95 të vdekur dhe 563 të plagosur

 

Një seri bombardimesh goditën kryeqytetin e Irakut brenda një ore, duke shkaktuar 95 të vdekur dhe 563 të plagosur, sipas Ministrisë së Brendshme të Bagdadit. Gjashtë shpërthimet shënuan sulmin më vdekjeprurës që nga dita kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës tërhoqën trupat nga Iraku rreth dy muaj më parë, duke ia lënë sigurinë në dorë autoriteteve irakiane. Gjatë një sulmi, një kamion bombë shpërtheu jashtë Ministrisë së Punëve të Jashtme, në pjesën ballore të saj, duke fluturuar në ajër disa makina. Një kamion tjetër bombë shpërtheu jashtë ndërtesës së Ministrisë së Financave. Ndërsa në qendër të Bagdadit shpërtheu një bombë në rrugën Kifa dhe një tjetër bombë shpërtheu në një lagje afër me të, në Salhiya, ku të martën autoritetet e Bagdadit raportuan neutralizimin me sukses të shpërthimit të një kamioni bombë. Dy bomba të tjera shpërthyen në lindje të Bagdadit, në sheshin “Beirut”, sipas raportimit të zyrtarëve. Kryeministri irakian, Nuri  Al Maliki u shpreh se, “sulmi terrorist që ndodhi sot kërkon pa dyshim rivlerësimin e planeve tona dhe mekanizmave tanë të sigurisë për t’u përballur me sfidat e terrorizmit”. Ambasadori amerikan në Irak, Chris Hill dhe gjenerali Ray Odierno, i dënuan bombardimet. “Shkatërrimi i tmerrshëm dhe humbja e jetëve të pafajshme sot janë sulme terroriste që nuk i shërbejnë asnjë qëllimi të ligjshëm”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët. Sipas CNN, dy njerëz që mendohet se kanë lidhje me bombat janë arrestuar. Dy nga të dyshuarit po udhëtonin me një makinë të mbushur me eksploziv përpara se të arrestoheshin nga forcat e sigurisë në Irak, kanë njoftuar për këtë agjencia burime nga zyrtarët irakianë. Dy të dyshuarit besohet se janë anëtarë të  Al Kaedës në Irak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›