E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana thyen dorën, alarmohen dy trajnerë



Dash Frashëri

Lajmi i keq i dyfishtë, si për trajnerin e Sanderlendit, Stiv Brus, ashtu dhe për atë të Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe. Mesfushori shqiptar Lorik Cana mund të ketë thyer dorën gjatë ndeshjes së humbur të “Maceve të zeza” me gjigantin londinez, Çelsi (3-1) dhe mund të humbasë si takimet e radhës në Premier Ligë, ashtu dhe ndeshjen ndërkombëtare të Shqipërisë kundër Danimarkës (9 shtator). Gazeta britanike “Daily mail” shkruante se kapiteni i Shqipërisë e ndjeu dhimbjen gjatë pjesës së parë, ndërkohë që në të dytin luajti me dorë të fashatuar, çka reflektoi edhe në lojën e tij gjatë mbulimit të fantazistit të Çelsit, portugezit Deko. Trajneri i Sanderlendit, Stiv Brus, shprehu keqardhjen e tij për humbjen në shtëpi, por pakënaqësia e tij u dyfishua kur blerja e tij verore mund të qëndrojë për një kohë të pacaktuar jashtë fushës”, - shkruan faqja e madhe sportive, Goal.com. Dje, Loriku iu nënshtrua rrezeve “X”, në lidhje me dyshimet për thyerjen e dorës gjatë një një përplase të fortë gjatë ndeshjes me skuadrën e Lampardit me shokë. “Lorik Cana iu nënshtrua rrezeve ‘X’ (dje) në mëngjes”, - citohet Brus nga agjencia “Espn”, - ai ka një krisje në dorën e tij dhe ajo mund të jetë thyer. Gjithsesi, shpresojmë që kjo të mos jetë e vërtetë”. Gjatë takimit kundër Çelsit, Cana u ndëshkua me karton të verdhë. Trajneri i Sanderlendit foli dhe për takimin e humbur kundër Çelsit. “U përpoqëm duke dhënë gjithçka që mund të jepnim, por nuk mundëm të frenonim Çelsin. Mënyra se ata lëviznin topin, ishte shuam e vështirë për ne, dhe kur ju shihni një performancë të tillë, atëherë e kuptoni se përse Çelsi ishte fituesi”. Ndeshja e ardhshme e Sandërlendit është ajo kundër Bllekbërnit, më 22 gusht.

2 ndeshje
ka zhvilluar Lorik Cana në kampionatin anglez. Në të parën Sanderlendi i tij fitoi në transfertë 1-0 me Boltonin, ndërsa të martën “macet e zeza” humbën me Çelsin, 3-1.

Kapelo
Trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo, ishte i tifozi “vip” në takimin Sandërlend-Çelsi. Italiani ndoqi sulmuesin e “maceve të zeza”, Daren Bent, autori i golit të vetëm të Sanderlendit.

Luajti edhe pse kishte dhimbje

Lorik Cana luajti minuta të plota kundër Çelsit edhe pse ai kishte dhimbje. Lajmi u publikua në faqen zyrtare të klubit të tij të ri, Sandërlendi. “Fama e tij si një lojtar që i pëlqen dyluftimet tashmë u vërtetua edhe në Uirsajd. Cana luajti si titullar kundër Çelsit, dhe këtu nuk ka asgjë të çuditshme, - shkruhet në faqen zyrtare të klubit, - por trajneri Stiv Brus tha se blerja e tij e re kompletoi 90 minutat me shumë kujdes pas një dyshimi për thyerje të dorës”. Cana pësoi dëmtimin gjatë një përplasje por qëndroi në fushë për të kompletuar ndeshjen e tij të parë në “Stadiumin e dritës”. Cana u vlerësua me notën 7, po aq sa Bent, autori i golit, duke qenë dy lojtarët më të mirë të Sanderlendit. Më i miri i takimit ishte Mikael Balak i Çelsit, me notën 8.

20 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›