Një pallat kulture për Kamzën
Në qytetin e Kamzës ka filluar ndërtimi i një qendre kulturore shumë-funksionale, e cila do të jetë një portë që do t’u shërbejë qytetarëve të kësaj zone të jenë më afër kulturës dhe artit. Specialistët e urbanistikës pranë Bashkisë së Kamzës shprehen se “Qendra kulturore është një projekt i ri dhe një investim i rëndësishëm që po realizon Qeveria shqiptare në bashkëpunim me Bashkinë e Kamzës.” Projekti është bërë me financimet e Bashkisë Kamëz, e cila do të financojë 30% të vlerës së investimit për ndërtimin e Qendrës Kulturore. Ndërtimi, në total arrin vlerën e 185 milionë lekëve. Objekti ka filluar që të ndërtohet te lulishtja e Qendër Kamzës, e cila ruan vijën e ndërtimit të përcaktuar nga studimi urbanistik i qendrës së qytetit. Ekspertet bëjnë të ditur se, kapacitetet e kësaj qendre janë të mëdha dhe ajo do të ndërtohet sipas parametrave dhe standardeve të Komunitetit Europian. “Qendra social-kulturore është parashikuar me tre kate mbi tokë dhe një nën tokë. Ajo do t’u shërbej disa fushave të artit, do të disponojë një sallë shumë-funksionale me kapacitet rreth 190 vende për aktivitete si konferenca, si dhe dy salla të tjera me kapacitet 50 dhe 30 vende për aktivitete të ndryshme.” –shprehen specialistët. Është vendosur edhe një ambient për përgatitjen e aktiviteteve dhe ekspozitave të ndryshme si dhe do të ketë ambient për galerinë e arteve. Përpos këtyre në katin e parë të saj është salla e shfaqjeve (teatri) me kapacitet rreth 420 vende si dhe kinema. Duke qenë një objekt i një rëndësie të veçantë, në ndërtimin e qendrës moderne kulturore të gjitha materialet e ndërtimit do të jenë të certifikuara me parametrat e komunitetit europian.” –shprehen specialistët e urbanistikës. Afati i përfundimit të punimeve, sipas kontratës është dymbëdhjetë muaj nga fillimi i punimeve, përfundon brenda vitit 2010. Pikësynimi i Bashkisë Kamzës është për ta zhvilluar Kamzën si në drejtimin ekonomik, shoqëror edhe në atë kulturor. Qyteti i Kamzës është një qytet me premisa të mëdha me një të ardhme europiane, i cili me rritjen dhe zhvillimet e përshpejtuara që ka marrë vitet e fundit, krahas infrastrukturës bashkëkohore, ndërtimeve masive, gjelbërimit, rritjes së bizneseve dhe shërbimeve të tjera ka mundur të sigurojë edhe projektin për ndërtimin e një qendre kulturore.
20 Gusht 2009