Afganistani sot voton, por edhe Britney Spears?
Raportimet e vazhdueshme mbi parregullsitë në zgjedhjet afgane mbërrijnë prej ditësh në zyrat e përfaqësuesve perëndimorë, që do të jenë monitorues të tyre. Më mbresëlënësja ishte se ikona amerikane e popit, Britney Spears, do të votojë në zgjedhjet kombëtare në Afganistan sot. Mund të duket për të qeshur, por në të vërtetë ekziston një kartë “e rregullt” votimi me emrin e saj. Sipas agjencisë “Reuters”, kopje të kartës janë përhapur me e-maile dhe vendosur në një hotel në Kabul. Emri i këngëtares është përdorur si shembull për të treguar se sa të korruptueshme mund të jenë këto zgjedhje, ndërsa nuk ka as normat më të vogla të sigurisë për kartat e votuesve. Vetëm një ditë më parë u raportua se mijëra fletë votimi shiteshin për më pak se 10 dollarë copa nga anëtarë të fushatës së kandidatëve të ndryshëm. Më i suksesshmi do të jetë ai që është tregtar më i mirë. “Reuters” raporton se karta votimi shiten në çdo rrugë të qyteteve dhe fshatrave të Afganistanit. Edhe pse këto zgjedhje konsiderohen si shumë të rëndësishme për stabilitetin e këtij vendi, duket se nuk do të jenë shumë të suksesshme. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, iu ka bërë thirrje afganëve të marrin pjesë në këto zgjedhje për vetë rëndësinë e tyre. Por përveç armiqve të përhershëm, talebanëve, që kanë kërcënuar me sulme të përditshme, vrasje, hedhje raketash kundër pjesëmarrjes në zgjedhje, duket se edhe vetë organizatorët e tyre nuk janë në gjendje të garantojnë zgjedhje “të vërteta”.