E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndeshja e kontrollit në Antalia përfundon 3-0 për ekipin A

Nis aventura e seleksionit të talenteve kuqezi nën drejtimin e trajnerit të kombëtares Josip Kuzhe. Pas tërheqjes së Franc Veliut, i cili rezulton i dëmtuar, plot 19 futbollistë të rinj, mes të cilëve 18 nga kampionati shqiptar dhe 2 nga kampionatet e huaja (Emiliano Vila në Nk Lokomotiva të Kroacisë dhe Vasil Shkurtaj në Olimpiakos të Greqisë) kanë mbërritur të dielën në Antalia të Turqisë, ku janë vënë në dispozicion të teknikut kroat dhe që dje kanë nisur edhe një “zbor” 8-ditor (deri më 11 janar). Në këtë ditë të parë ka shkëlqyer pikërisht sulmuesi Elis Bakaj, i cili është edhe një nga më të përfolurit në merkaton e futbollistëve shqiptarë, që gjatë dritares dimërore të transferimeve, ka shumë mundësi të përfundojë në ndonjë skuadër të kampionateve të njohura të Europës. Dita e djeshme është karakterizuar nga dy seanca stërvitore. Sipas zyrës së shtypit në FSHF, gjatë paradites, rreth orës 10.00, u zhvillua një mbledhje e stafit me të gjithë lojtarët, ku u shpjegua qëllimi i këtij grumbullimi.
Të gjithë lojtarët morën pjesë në stërvitjen e parë në orën 11.00. Stërvitja përgjithësisht ishte me një ritëm më të ulët, për arsye se lojtarët vijnë nga pushimet. Gjatë kësaj seance stërvitore u bënë vrapime, ushtrime teknike dhe goditje në portë me kokë dhe këmbë. Ndërkohë që stërvitja e pasdites u zhvillua në orën 17.00, ekipi zhvilloi nxehjen e zakonshme dhe me pas u luajt në kuadrat për rreth 15 minuta. Pas disa ushtrimeve të ndryshme, në fund u zhvillua një ndeshje kontrolli, ku grupi i futbollistëve u nda në dy grupe: ekipi A përbëhej nga Hoxha, Gocaj, Pisha, Lila, Muça, Vila, Muzaka, Veliaj, Bakaj, Shkurtaj. Ndërsa në përzgjedhjen B bënin pjesë Moçka, Shoshi, Bicaj, Semina, Sefa, Roshi, Cikalleshi, Bala, por këtyre të fundit iu bashkua edhe ndihmësi i Kuzhesë, Mustedanagiç, për të plotësuar numrin 10, po aq sa ekipi A. Përballja mes të dyja skuadrave përfundoi me fitoren e pastër 3-0 të përzgjedhjes A.
Në këtë ndeshje shkëlqeu sulmuesi më në formë i momentit në kampionatin shqiptar, Elis Bakaj, i cili ishte autori i një dopiete, ndërsa goli tjetër mban firmën e Muzakës. Performanca e Bakajt në këtë sfidë ishte e jashtëzakonshme. Sulmuesi i Dinamos, i cili kryeson edhe listën e golashënuesve me 10 gola në 16 ndeshje, është në qendër të merkatos, ku përflitet se për të interesohet skuadra gjermane e Borusias së Dordmundit dhe një klub kroat. Tashmë e ardhmja e tij është e paqartë dhe gjithçka pritet të vendoset në gjysmën e dytë të muajit janar, kur edhe pritet të intensifikohen tratativat. Gjendja e përgjithshme e futbollistëve raportohet e mirë, ndërkohë që mësohet se nuk ka asnjë të dëmtuar.
Edhe sot do të zhvillohen dy seanca stërvitore. Në datë 6 janar ekipi kombëtar do të zhvillojë një ndeshje miqësore me ekipin e FC Adanaspor, që do luhet në orën 15.00 në kompleksin sportiv të hotel “Papillon”. Gjithashtu stafi i ekipit kombëtar ka planifikuar të zhvillojë një ndeshje miqësore në datë 9 janar, por kundërshtari ende nuk është vendosur, pasi po bëhen bisedime me disa ekipe të grumbulluara në Turqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›