Çështja çame, PDI-PDU, drejt bashkimit të plotë
Dy partitë çame, drejt shkrirjes dhe bashkimit në një të vetme. 19 vjet nga krijimi i shoqatës patriotike “Çamëria” dhe pak kohë pas përfaqësimit të këtij komuniteti si forcë parlamentare, çamët synojnë bashkimin në një forcë të vetme politike. Dy deputetët e këtij komuniteti, Shpëtim Idrizi dhe Tahir Muhedini, edhe pse përfaqësojnë dy parti të ndryshme gjatë ceremonisë përkujtimore u shprehën me nota unifikuese për të ardhmen e çështjes çame. “Sot çështja çame është më e fortë se kurrë, më e gjallë se kurrë. Ne sot jemi 300 mijë që kërkojmë drejtësi dhe kemi me vete gjithë kombin shqiptar, prandaj e drejta jonë do të fitojë”, - tha z. Idrizi. Kurse kryetari i PDU-së, Muhedini, teksa vlerësoi shoqatën “Çamëria” si të vetmen që nuk u përça, bëri thirrje për bashkim të të gjithë çamëve. “Shoqata “Çamëria” ka pasur ecejaket e veta, por nuk u përça. Mbeti e vetme. Këtë shembull duhet të ndjekë dhe forca politike. Duhet të jemi të gjithë bashkë. Çamëria do një zë. Po të bëhemi shumë zëra do ketë humbje rrugës”, - tha Muhedini. Bashkësia çame në 19-vjetorin e krijimit të shoqatës përkujtoi jo vetëm historinë dhe mundimet, por edhe të kaluarën e afërt dhe sfidat që kanë kapërcyer për ta kthyer çështjen çame në një diskutim të ndjeshëm në arenën politike. Në këtë mënyrë, dy partitë çame kanë vendosur t'i japin fund debatit brenda tyre. Pas përçarjes që sollën zgjedhjet e 28 qershorit, popullsia çame do të përfaqësohet vetëm nga një parti. Dy kryetarët, Tahir Muhedini i Partisë Drejtësi dhe Integrim dhe Shpëtim Idrizi, kreu i Partisë Drejtësi dhe Unitet, kërkuan dje pikërisht bashkimin e dy forcave politike. Kërkesa erdhi fillimisht nga kreu i PDI-së, Muhedini dhe është përforcuar nga qëndrimi i Shpëtim Idrizit. Autoritetet drejtuese të dy partive pritet të nisin negociatat për të caktuar kryetarin e ri të partisë më të re dhe të vetme çame. Popullsia çame sot përfaqësohet nga dy deputetë në Kuvend: Shpëtim Idrizi, i cili vetëm pak kohë më parë u largua nga Partia Socialiste për të krijuar subjektin më të ri politik çam dhe Dashamir Tahiri, i cili fitoi në Vlorë nën siglën e partisë së parë çame, PDI. Sipas këtyre përfaqësuesve, bashkimi i partive do të përforcojë zërin e çamëve për zgjidhjen e çështjes së tyre. Ky vendim për shkrirjen e partive çame në një u bë publik dje në ceremoninë e 19-vjetorit të krijimit të shoqatës "Çamëria". Anëtarët dhe drejtuesit e saj lëshuan thirrje kundër Vangjel Dules, kreut të PBDNJ-së, që sipas tyre, mban qëndrime negative ndaj popullsisë çame.