E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhurmuesit me e-mail, nuk mund të shpëtojnë Edi Ramën nga skandali me lejet e ndërtimit

Edhe një studim i thjeshtë kupton shkeljet flagrante që ka konsumuar Edvini me bashkëpunëtorët e tij, Alban Eftimi e Arben Biçoku, prandaj kryebashkiakun e ka zënë tmerri dhe po mbështet çfarëdolloj zhurmuese, mjaft që ta mashtrojë se Prokuroria nuk do t’i nisë hetimet për këtë dosje të demaskuar

Postngritja e Komisionit Parlamentar hetimor ndaj Edi Ramës, kryetarit të bashkisë së Tiranës, përkundër sjelljes së tij indiferente dhe “vullnetit” për mosbashkëpunim, më saktë pengimin e këtij komisioni hetimor, kanë zgjuar instinktin e vetëmbrojtjes. Por, për këtë Edi Rama ka zgjedhur rrugën më të gabuar, të nxitjes dhe mbështetjes së disa kundërsulmeve në zbatim të skenarit “stampë” të përdhosjes së radhës nëpërmjet publikimeve të disa e-maileve private. Ky aksion i radhës, i iniciuar nga Edi Rama, dhe i hedhur në tregun mediatik nëpërmjet të njëjti “distributor”, ka një qëllim të vetëm, të vetëkarikojë shpresat se sërish Prokuroria e Përgjithshme, apo Ina Rama, do të kaplohen nga budallallëku institucional dhe do të fillojnë “hetimet kryesisht” për ca e-maile private dhe do të harrojnë skandalin e tij me lejet e ndërtimit.
Edi Rama që ka ditur të lexojë mirë tërheqjen e Prokurorisë së Përgjithshme nga dy dosjet më të zhurmuara prej atij vetë dhe shërbëtorëve mediatikë, atë të “Durrës-Kukës” dhe atë të “Damir Fazlliç”, ka kuptuar gjithashtu se Ina Rama mund të mos i lejojë më tej vetes të vazhdojë të konsumohet politikisht. Brenda këtij ftillimi të Edi Ramës, ai mund të ketë kuptuar gjithashtu, se megjithë aferat e dyshimta dhe korruptive për të cilat ai është përfolur në vite, që kur ishte ministër i Kulturës e më vonë në krye të bashkisë së Tiranës, nuk mund të vazhdojë të fshihet mes zhurmës me një megafon të mundshëm para Komisionit Parlamentar hetimor.
Por, ajo që duket se ia ka edhe më shumë frikën, ka të bëjë me atë që ai nuk mund të vazhdojë të besojë se mund të gjendet ende ndonjë Theodhori Sollaku apo Ina Rama, që të mund të vazhdojnë të bëjnë kokëfortësisht indiferentin dhe mospërfillësin përballë dosjeve voluminoze me abuzime të atij, Edi Ramës, ndër vite.
Ndjenja e pasigurisë që duket se po përjeton kryebashkiaku i kryeqytetit që pas publikimit dhe denoncimit, jo vetëm publik, të lejeve të ndërtimit të tipit “vetë shkruan, vetë vendos e vetë vulos”, që ai ka dhënë për anëtarët e KRRT-ës së Tiranës, Alban Eftimi e Arben Biçoku, duket se e kanë zgjuar te Edi Rama këtë instinkt të kundër-reagimit.
Saktësisht një ditë para ditës së djeshme të publikimit në dy gazeta të kontrolluara prej tij, të disa e-maileve private, Edi Rama kishte nxitur “distributorin” e thashethemnajave e tymnajave të tij, që të tregonte një fabul me “një grup fshatarësh në Porto-Romano”. Por, pas kësaj “me nder” fabule, “distributori” mediatik nuk kishte harruar qëllimin e fabulës, i cili nuk kishte aq lidhje me paralajmërimin e publikimit të disa e-maileve private të nesërmen, sesa me “mesazhin” që ai kishte marrë përsipër, në emër të Edi Ramës, t’i dërgonte Prokurores së Përgjithshme.
Dhe mes rreshtave ku rrekeshin të ngatërroheshin fabula e “një grupi fshatarësh në Porto Romano”, përgjegjësi i “bordit mediatik” të Edi Ramës, njëherazi edhe “distributori” i thashethemnajave e tymnajave më të paimagjinueshmet, duke shkruar për ato që ai “nuk dinte” e “nuk kuptonte” nga sjellja e prokurorisë, nuk kishte harruar t’i përcillte “mesazhin” e Edi Ramës të frikësuar, saktësisht Ina Ramës, për atë që, “prokuroria ka mbyllur njësoj si në rastin e Lulzim Bashës me procedurë hetimet për sekserin e familjes në pushtet, Damir Fazlliç”.
Duke mos besuar ende se “dosja Fazlliç është një pesë me hiç”, “mesazheri” i Edi Ramës, kishte bërë kujdes që t’i kujtonte Ina Ramës, Prokurores së Përgjithshme, se “mbyllja e kësaj çështjeje për shkak të afateve dhe vonesave të letër-porosive është një akt i turpshëm i drejtësisë shqiptare”.
Dhe fill pas kufirit të fundit të përfundimit të afateve të zbardhjes edhe nga Komisioni Hetimor të skandalit me lejet e ndërtimit të dhëna nga Edi Rama sipas preferencave klienteliste, saktësisht edhe pas konsideratës zhgënjyese ndaj organit të akuzës, të shprehur nga Edi Rama nëpërmjet “tellallëve” të tij mediatikë, akoma edhe më saktësisht një ditë pas këtij “mesazhi”, u sajua një “me nder” skandal e-mailesh, që s’kuptohej në kishin të bënin me Zafar Ansar apo Damir Fazlliç.
Pas këtij skenari, tashmë i gatshëm dhe fotokopje e skenarit pararendës, ku janë ndërruar vetëm disa prej “protagonistëve”, pritet që “me nder” skandali i radhës me ca e-maile private,të tirret, e tirret deri në atë masë, sa “iniciuesi” dhe “distributori”, të marrin garanci se Edi Rama nuk do të jetë pjesë e hetimeve nga Prokuroria e Përgjithshme për lejet e ndërtimit të dhëna nga ai, për Delijorgjët, Eftimitë, apo Biçokët, anekënd Tiranës.
Avazi do të vazhdojë në mënyrë të njëjtë... Do t’i bëhet presion Prokurorisë së Përgjithshme që të fillojë “hetimet kryesisht”, për “me nder” skandalin më të fundit me ca e-maile private...
... Në të kundërt, Prokuroria e Përgjithshme do të duhet të bëhet pjesë, jo vetëm me “hetime kryesisht”, për hetimin e lejeve të ndërtimit që anëtarë të KRRT-së së Tiranës, ia japin si shpërblim njëri-tjetrit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›