Topalli: Motivi i Edi Ramës, ryshfeti dhe korrupsioni

Deklaron kryetarja e Kuvendit në konferencën e PD-së Shkodër
“Diferenca kryesore midis PD-së dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës është motivi që i çon përpara”. Cili është motivi i kryetarit të bashkisë së Tiranës? Ka vetëm një motiv: rryshfetet. Ka vetëm një motiv: korrupsionin. Ka vetëm një motiv: 15 përqindëshin, por 15 përqindëshi do të thotë të të blejnë”
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi dje nga Shkodra, ku mori pjesë në punimet e konferencës së Partisë Demokratike, se mazhoranca e djathtë në mandatin e dytë do të ketë projekte më të mëdha zhvillimi, për vendin.
Gjatë fjalës së saj, Topalli deklaroi se Partia Demokratike dhe kryetari i saj Sali Berisha, kanë si motiv të çojnë Shqipërinë përpara dhe kjo do të faktohet më 28 qershor, me një fitore të PD-së, për të ndryshuar edhe më shumë Shqipërinë.
Duke bërë një paralelizëm ndërmjet Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, u shpreh se diferenca kryesore midis PD-së dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës është motivi që i çon përpara. “Cili është motivi i kryetarit të bashkisë së Tiranës? Ka vetëm një motiv: ryshfetet. Ka vetëm një motiv: korrupsionin. Ka vetëm një motiv: 15 përqindëshin, por 15 përqindëshi do të thotë të të blejnë. Një vlerë nuk mund të ketë kurrë motiv, kur je i blerë, nuk mund të ketë kurrë motive, nuk mund të jetë kurrë lider. Kur je i blerë, nuk mund të udhëheqësh kurrë një parti, as edhe një parti dhe aq më pak një vend”, tha Topalli, duke shtuar se diferenca midis nesh është si dy paralele të cilat nuk bashkohen kurrë me njëra-tjetrën.
“Ndaj dhe historia e Shqipërisë është historia e Partisë Demokratike. Në Samitin e Strasburgut pata fat që isha dhe dëgjova Presidentin e SHBA-së, i cili thoshte për Shqipërinë dhe Kroacinë se këto vende e merituan që të bëheshin anëtare të NATO-s, për shkak të ndërmarrjeve të jashtëzakonshme dhe të ndryshimeve të mëdha që ato kanë realizuar”, u shpreh ajo.
Topalli theksoi, se kjo periudhë ka qenë një histori suksesi për Shqipërinë, ku në një hapësirë kohore të shkurtër u arrit të realizohej ratifikimi i MSA-së në parlamentare dhe senate.
“Kjo për shkak të reformave të mëdha, të reformave të guximshme, reforma që vetëm një lider si Kryeministri Berisha mund t’i ndërmerrte dhe t’i implementonte. Nuk ka një vend tjetër që të ketë bërë të mundur që brenda një muaji, dhe kjo ka ndodhur në prill, muajin që sapo lamë pas, të realizojë anëtarësimin në NATO dhe të dorëzojë ftesën për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë për anëtare në BE”, tha kryetarja Topalli.
Sipas saj, Partia Demokratike dhe lideri Sali Berisha, është babai i Shqipërisë moderne, pasi me seriozitetin dhe punën e tij të palodhshme, Shqipëria po njeh suksese.
Në vijim, kryetarja e Kuvendit vuri në dukje se mandati i dytë do të jetë mandati i liberalizimit të vizave dhe mandati i zhvillimeve, i projekteve dhe i investimeve të mëdha.