Shalsi tjerr vetëm justifikime për të mbuluar dështimet e Ramës

Mungesa e shkollës për komunitetin e Bregut të Lumit
TIRANE - Ashtu si në rastin e Unazës së Madhe të Tiranës që po mbahet prej me shumë se tre vitesh nga kryebashkiaku Edi Rama, nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, është justifikuar dje se komuniteti i Bregut të Lumit nuk ka ende shkollë pasi “ka mbetur peng i politikës së vjetër të kësaj qeverie, që tjetër bën e tjetër thotë”.
“Bashkia e Tiranës i ka dërguar në mënyrë zyrtare qeverisë, në dhjetor të vitit 2005, kërkesën për ndërtuar shkollën në Bregun e Lumit dhe e ka përsëritur atë në vitin 2007, çka provojnë krejt të kundërtën e asaj që thonë zëdhënësit e qeverisë. Kryeministri thotë se do ta bëjë shkollën për fëmijët e Bregut të Lumit, por ndërkohë nuk bëhet se ky truall po privatizohet”, deklaroi ai.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në një deklaratë për shtyp pardje sqaroi lidhur me këtë problem se kryebashkiaku Edi Rama po manipulon qytetarët e Bregut të Lumit në emër të shkollës, duke e njohur fare mirë çështjen si dhe pamundësinë për të proceduar më tej.
Sipas METE-s, “bashkia e Tiranës është rast unikal në Republikën e Shqipërisë, pasi nuk ka bashkëpunuar në asnjë rast me METE-n për kthimin e pronave tek pronarët e ligjshëm”.