E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillimi rural sipas instrumentit të IPA-s

Në konferencën përmbyllëse të projektit "Ngritje e Kapaciteteve për Implementimin e Strategjisë së Zhvillimit Rural" në kuadër të instrumentit (IPA) 2008 për Para-Anëtarësimit n BE, Sequi theksoi se "duam të ndihmojmë në zhvillimin e një sektori të rëndësishëm siç është bujqësia”. 

Sequi theksoi se, " BE përmes këtij projekti punoi për zhvillimin e politikave strategjike dhe forcimin e strukturave menaxhuese të programit IPA, në mënyrë të veçantë të Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, si agjenci e besueshme për menaxhimin e fondeve që do të jepen nga BE në të ardhmen. Sipas ambasadorit Sequi, “Shqipëria duhet të përdorë të gjitha instrumentet e projektit IPA 2008 për të arritur objektivat e saj, por gjithashtu duhet të punojë edhe me marketingun dhe me të tjera hallka të rëndësishme për ta zhvilluar bujqësinë”.

Ndërkohë ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Muller-Holtkemper, vuri në dukje rëndësinë që ka zhvillimi i bujqësisë në Shqipëri dhe mbështetjen që Gjermania ka dhënë dhe do të japë për të ndihmuar Shqipërinë në këtë sektor.  Projekti që zgjati 28 muaj, filloi në tetor 2009 dhe përfundoi në janar 2012. Projekti u zbatua nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH në emër të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe kishte një buxhet prej 2.05 milionë euro. Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, duke evidentuar rolin e bujqësisë në ekonominë shqiptare, tha se "zhvillimi rural mbetet prioritet i politikave mbështetëse të qeverisë".

Në këtë kuadër, vijoi ai, asistenca e BE-së është udhërrëfyese e zhvillimit të kapaciteteve të pritshme për të çuar përpara bujqësisnë shqiptare. Duke vlerësuar projektin "Ngritja e kapaciteteve për implementimin e strategjive të zhvillimit rural", që u zbatua në kuadër të programit IPA 2008 para anëtarësimit në BE, ministri Ruli theksoi se, ky projekt realizoi harmonizimin e politikës bujqësore shqiptare me akte ligjore të politikës së përbashkët bujqësor të BE-së si dhe krijoi një draft program të zhvillimit rural me mbështetjen e BE-së.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor Rural, e njohur ndryshe edhe si Agjencia e Pagesave (AZHBR), përmes këtij projekti, realizoi forcimin e kapaciteteve institucionale, duke u përgatitur të certifikohet nga Bashkimi Evropian për menaxhimin e fondeve që do të merren në kuadrin e programit IPA për subvencionimin e bujqësisë me fonde nga BE. /Start/

                                                                                             2012-01-30 14:48
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›