E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet ceremonia e përfundimit me sukses të misionit paqeruajtës Liria e Irakut

Tiranë, 27 dhjetor 14:59 NOA - Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, (FA) organizuan sot në sheshin “Skenderbej“ të kryeqytetit një ceremoni festive me rastin e përfundimit me sukses të misionit paqeruajtës “Liria e Irakut”.

Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete të larta të shtetit: Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA gjeneral brigade Maksim Malaj, amabasdori i SHBA-së në Tiranë John Withers II, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura, si dhe mjaft të ftuar të tjerë.

Trupat tona paqeruajtëse, që kanë marrë pjesë në misionin “Liria e Irakut“ që prej më se 5 vjetëve (2003-2008), parakaluan nga Qendra Kulturore e FA përgjatë sheshit “Skënderbej” dhe më pas u rreshtuan përpara monumentit të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu.

Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, fjalën e rastit në ceremoni e mbajti shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA gjeneral brigade Maksim Malaj.

“Pikërisht nga ky vend, nga sheshi “Skënderbej”, tha ai, para më shumë se pesë vjetësh ne nisëm djemtë tanë ushtarë, nënoficerë dhe oficerë për t’u bërë pjesë e trupave të vendeve të koalicionit të madh kundër terrorizmit ndërkombëtar; për t’u bërë pjesë e sfidës së madhe me të cilën u përball komuniteti i vendeve demokratike e progresive në këtë Luftë; për t’u bërë pjesë e vullnetit dhe e forcës për t’i kthyer lirinë popullit iraken dhe sigurinë e rajonit e të mbarë botë“.

Trupat pjesëmarrëse në misionin në Irak i ka përshëndetur Kryeministri Sali Berisha, i cili një falënderim dhe mirënjohje të veçantë u ka përcjellë familjarëve të paqeruajtësve, nënave, baballarëve, bashkëshorteve dhe fëmijëve të tyre për mbështetjen që kanë dhënë dhe sakrificat që kanë bërë për bijtë e tyre, që ata të kryenin me sukses këtë mision të madh, si dhe u ka uruar atyre gëzuar festën e Vitit të Ri 2009.

Trupat tona paqeruajtëse dhe të gjithë të pranishmit e tjerë i përshëndeti edhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë John Withers II.

Më pas ministri i Mbrojtjes Oketa ka dekoruar me medalje disa kontigjente pjesëmarrëse në misionin “Liria e Irakut“, si dhe me urdhër të veçantë ka dekoruar me medaljen “Për pjesëmarrje në shërbimet ndërkombëtare“ të gjithë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët që morën pjesë në këtë mision.

Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe demonstrimi ajror i helikopterëve të FA Shqiptare në shenjë përshëndetjeje për përfundimin me sukses të plotë të këtij misioni të vështirë, por mjaft domethënës për Shqipërinë dhe Forcat e saj të Armatosura.

***

Ceremonia e sotme ishte faza përmbyllëse e një vargu aktivitetesh që kanë filluar që me më datë 20 dhjetor 2008, kur në aeroportin e Rinasit të parët që u kthyen në atdhe ishin 95 trupat ushtarake të misionit shtesë të Bagdadit, të shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa më 23 dhjetor u pritën 120 trupat e Kontigjentit të 12-të Paqeruajtës që vinin nga Mosuli i Irakut.

Misioni “Liria e Irakut” startoi në prill 2003, me kontributin e trupave ushtarake të Regjimentit Komando.

Kontigjenti i parë ka pasur në përbërje të tij 71 ushtarakë, të cilat më pas, në kontigjentin e pestë u rritën në numër me 120, duke u shndërruar në kompani “Komando”, si pjesë përbërëse e Brigadës Shumëkombëshe të drejtuar nga SHBA.

Gjithsej në misionin në Irak kanë marrë pjesë 1 338 trupa të FA Shqiptare.

a.k/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›