Berisha: Rugova mishërim i aspiratave, shpresave, idealeve më fisnike të Kosovës
- Deklaratë e Kryeministrit Sali Berisha
Sot, me dhimbje të thellë, zi të rëndë, pikëllim të madh, çdo shqiptar mësoi lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, prijësit dhe legjendës së qëndresës qytetare, misionarit të madh të paqes, pavarësisë së Kosovës, mikut të madh, të çmuar të perëndimit në Ballkan.
Doktor Ibrahim Rugova për 18 vjet udhëhoqi qëndresën legjendare të qytetarëve të Kosovës për liri, pavarësi, dinjitet. Ai u shndërrua në mishërimin e aspiratave, shpresave, idealeve më fisnike të qytetarëve të Kosovës, të cilat i mbrojti me një përkushtim të jashtëzakonshëm, me një qendresë epike, me sukses të madh.
Sot, ai ndahet nga qytetarët e tij që aq shumë e deshën dhe e respektuan, ndahet nga familja, ndahet nga miqtë e tij, por jeta, shpirti, vepra e Ibrahim Rugovës shndërrohet në dritë, në frymëzim për të gjithë qytetarët e Kosovës, që me përkushtim, tolerancë, të çojnë përpara Kosovën, si një shoqëri demokratike të qytetarëve të barabartë përpara ligjit, si një vend të pavarur, i sigurtë në të ardhmen e tij europiane, integrimin në NATO dhe në BE.
Duke i shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta, së pari familjes së mikut tim të dashur, presidencës, qeverisë dhe mbarë qytetarëve të Kosovës, unë lutem së bashku me të gjithë shqiptarët që shpirti i Presidentit Rugova të gjejë paqen e merituar, që vepra e tij të konkretizohet sa më shpejt në një Kosovë të pavarur të integruar në institucionet euro-atlantike.
Qeveria shpreh solidaritetin, simpatinë vëllazërore me familjen Rugova, për qytetarët e Kosovës, të cilët kam bindjen më të thellë se do të dinë që këtë zi, këtë dhimbje, këtë pikëllim, ta shndërrojnë në një forcë, energji, për të realizuar plotësisht veprën e madhe të Ibrahim Rugovës, pavarësinë e Kosovës dhe integrimin e saj në Europë.