E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet seminari i “xhaketave të zeza”

Autori i Lajmit: Redaksia
Tiranë - Gjyqtarët gjatë pjesës së parë të sezonit kanë qenë jo pak herë në shënjestrën e drejtuesve më të lartë të klubeve dhe “xhaketat e zeza” në disa raste kanë ndikuar direkt, “falë gabimeve njerëzore” edhe në rezultatet e takimeve. Pikërisht për këtë arsye Federata Shqiptare e Futbollit, FSHF, në bashkëpunim edhe me FIFA-n e UEFA-n, organizuan seminarin dyditor me “bilbilat”. Pikërisht në datat 13 dhe 14 janar u zhvillua seminari, ku morën pjesë përfaqësues të UEFA-s e FIFA-s. Sipas faqes zyrtare të FSHF-së, fshg.org, e veçanta e këtij seminari ishte pjesëmarrja e dy përfaqësuesve të FIFA-s dhe UEFA-s. Njëri prej tyre është një figurë e njohur, ish-gjyqtar i FIFA-s, zoti Kyrios Vasaras, i ngarkuar për mbikëqyrjen e federatave të futbollit në Ballkan, ndërsa tjetri përgjegjësi i Konventës së Arbitrave pranë FSHF-së, Charls Schaack. Në ditën e parë, seminari kishte karakter teorik, ndërsa në të dytën të gjithë gjyqtarët, kryesorë dhe asistentë, iu nënshtruan testeve fizike, rezultatet e të cilave u kontrolluan nga dy përfaqësuesit e FIFA-s dhe UEFA-s. Sektori i garave pranë FSHF-së i ka kushtuar vëmendje të veçantë rritjes profesionale të gjyqtarëve, duke organizuar në mënyrë periodike me ta seminare, me pjesëmarrjen edhe të specialistëve të huaj. Sezonin e fundit i është dhënë përparësi përgatitjes së gjyqtarëve të rinj, të cilët kanë gjykuar rregullisht edhe në kategorinë superiore. Vetëm pak javë më parë në FSHF u organizua një test teorik me gjyqtarët e perspektivës. Dy zyrtarët e UEFA-s dhe FIFA-s u shprehën të kënaqur me organizimin dhe rezultatet gjatë testimeve. Ata u shprehën se Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë një pune mjaft të mirë me arbitrat e rinj duke organizuar herë pas here seminare dhe testime.

Ky lajm është publikuar: 15/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›