Sarkozi flet sërish kundër perçes
Autori i Lajmit: RedaksiaParis - Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, u shpreh sërish për ndalimin e perçes myslimane në Francë, duke kërkuar një rezolutë të Parlamentit kundër perçes, për të cilën theksoi se nuk është e mirëseardhur në një shtet, në të cilin sundon barazia gjinore. Megjithatë, me qëllim që tu shmanget akuzave se po nxit ndjenjat antimyslimane, Sarkozi theksoi se ligji i ri duhet ti shmanget stigmatizimit të cilitdo seksion të shoqërisë. Duke kundërshtuar zyrtarët në radhët e partisë së tij konservatore, UMP, të cilët kanë kërkuar ndalimin e plotë të perçes, Sarkozi theksoi se ligjvënësit duhet të presin rezultatet e hetimit parlamentar, para se të veprojnë më tutje. Sarkozi tha se Parlamenti duhet të miratojë një rezolutë, e cila bën të qartë se perçja nuk është në përputhje me vlerat franceze. Komiteti i formuar verën e vitit të kaluar për të hetuar këtë çështje, i kryesuar nga deputeti komunist Andre Gerin, pritet që të rekomandojë një ndalesë më të moderuar të perçes. Rezultati i hetimeve do të publikohet në fund të këtij muaji, disa javë para zgjedhjeve rajonale në Francë. “Si president, unë besoj se do të ishte mirë që të presim konsultimet, para se të marrim një vendim përfundimtar”, - tha Sarkozi. Kohët e fundit Presidenti i Francës, ka rindezur debatin në lidhje me emigracionin në kohët e sotme, me një paralajmërim për myslimanët që të praktikojnë fenë e tyre në mënyrë diskrete, të cilët përballen me refuzimin e islamikëve të moderuar në Francë. Madje Presidenti ka shprehur simpati për votuesit zviceranë, që votuan kundër ndërtimit të minareve në vendin e tyre, duke tentuar që të rindezë një debat në lidhje me identitetin kombëtar. Sarkozi shprehej se rezultati i referendumit në Zvicër tregoi se sa e rëndësishme ishte për Francën përcaktimi i identitetit të saj. "Në vend që të dënojmë zviceranët, ne duhet që të përpiqemi që të kuptojmë se çfarë mesazhi realisht deshën të përcillnin ata përmes votës së tyre dhe çfarë ndiejnë sot shumë njerëz në Evropë, përfshi Francën. Ai bëri thirrje për tolerancë dhe nënvizoi respektin e vendit të tij për të gjitha fetë, por mesazhi i tij u drejtua ndaj atyre që ishin të palumtur për të ashtuquajturin kërcënim të pranisë myslimane në vend.
Ky lajm është publikuar: 15/01/2010