E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvlerësimi i fjalës publike!

Në Shqipëri mund të vritesh për një fjalë goje, nëse p.sh të bie rasti apo fatkobi të përballesh e të grindesh me ndonjë të fortë për parakalim, parkim apo, ca më keq, për një gërvishtje makine…Fyerja dhe dëmi nuk shkon në gjykatë për çështje ordinere, po drejt e në plumb, në rrahje, në dhunë; por nuk ndodh aspak kështu me sherret e gërrmërret e të fortëve të politikës, paçka se këta nuk i lënë kusur njëri-tjetrit. Nuk habitet e nuk shqetësohet kurrkush kur nga foltoret e deputetëve, veçanërisht nga zyra-altoparlant e Kryeministrit, edhe e Presidentit, e ministrave, e kryetarëve të partive, e kryetares së Kuvendit, kur nëpër ekrane, si të mos mjaftonin këta, shfaqen më pas edhe një tufë zëdhënësish e zëmarrësish (analistë të rekrutuar) që emetojnë, para gjithë shqiptarëve, jo vetëm etiketime, nofka, fyerje, përbaltje e poshtërime të ndërsjella, po edhe prognoza e akuza tepër të rënda për njëri-tjetrin…Tanimë jemi të imunizuar; nuk na bëjnë më përshtypje fjalët e tyre poshtëronjëse, zënkat e fyerjet, të thëna ose në korr partiak, ose me iso partiake, si: lavire, horr bulevardi, vrasës, hajdut, zhele, kriminel, kryemafioz, kryebandit, gënjeshtar, spiun i Sigurimit, kriptokomunist, trafikant droge, etj. etj…
Sot nuk di të ketë, përveç mjedisit, gjë më të zhvlerësuar dhe më pa peshë se fjala publike. Ai që shahet e poshtërohet më rëndë publikisht nga “armiku”, ai fiton më shumë besim e kredibilitet te kryetari i partisë dhe militantët…Kjo është aq e vërtetë sa tanimë, ashtu si për të marrë statusin politik në Evropë e në SHBA disa ish zyrtarë të rënë nga vakti (nga pushteti) porosisnin nëpër gazeta, falë një shpërblimi, një artikull apo një përmendje sharëse të emrit të tyre që t’u shërbente për zyrat e emigracionit si dëshmi se medemek këtu po “u rrezikohej jeta”; po ashtu edhe sot jo pak funksionarë pranojnë të dalin me qejf nëpër ekrane që të artikulojnë sharje, shpifje, akuza të ndërsjella vetëm e vetëm t’i tërheqin vëmendjen e t’i pëlqejnë kryetarit përkatës të partisë…Me këtë çelës kopil ata mund të hapin derën e karrierës e të bëhen deputetë, ministra, gjykatës, zëdhënës, analistë, etj. Sa më shumë zhvlerësohet prej tyre fjala publike, aq më i sigurt do të jetë shpërblimi.
Krerët tanë e kanë kuptuar tashmë se në këtë sistem deledash, gjysmë demokraci e gjysmë diktaturë, funksionon për mrekulli mekanizmi magjik i diktaturës i cili përveç “biografisë së pastër” dhe shembujve të besnikërisë prej zagari, mund të të ndihte të bëje karrierë vetëm po qe se kishe aftësi dhe zotësi të zbatoje parimin e pashkruar: tjetër thuaj, tjetër mendo, tjetër bëj! Pikërisht këtë traditë vazhdojnë ta quajnë politikë të mençur e të suksesshme liderët tanë demokratë…Ajo që kushton më pak dhe vlen më shumë sot është dilema: si e si ta bësh fytyrën sa më blozë në shërbim të njërit prej dy kryetarëve të partive më të mëdha; si e si të gjesh një ekran e një mjedis publik ku të shash, të pështysh e të mallkosh, të fyesh e të shpifësh sa më bukur e sa më shumë kundër “armiqve të partisë”! Dinjiteti, cipa e ballit, nderi, emri i mirë nuk vlejnë para karrierës dhe pasurisë. Ky është “kapitalizmi” që po ndërton modeli Berisha & Co!
***
Patëm besuar e kujtuar se demokracia do të na sillte si dhuratë, bashkë me lirinë, edhe shkatërrimin përfundimtar të makinerisë së gënjeshtrës dhe të hipokrizisë, jo vetëm asaj politike, por edhe morale, mjete këto që asokohe garantonin mbijetesën, në mos edhe suksesin. Por ja që, me sa duket, nuk mjafton vetëm liria në një sistem demokratik, si ky yni, që të garantohet liria e shprehjes dhe e mendimit…Mund të jesh i lirë të lëvizësh, të vdesësh, të heshtësh, por kjo nuk do të thotë që je i lirë edhe të mendosh e arsyetosh si njeri i lirë!...Sa i lirë është jo vetëm një minator i Bulqizës që nuk ka bukë të hajë, po edhe një gjykatës në Gjykatën e Lartë? Sa të lirë janë deputetët dhe ministrat që rinë me orë të tëra, përditë, si një rekuizitë njerëzore pa gojë që ka për detyrë të ndjekë e të shohë në buzë Kryeministrin, edhe kur flet broçkulla? E pra, pyetja është e thjeshtë: a guxojnë qytetarët e zakontë të thonë atë që mendojnë? Sa të sakta janë sondazhet dhe shifrat e sukseseve? A e kthejmë instiktivisht kokën pas kur flasim me zë të lartë në rrugë e në kafene për politikën dhe politikanët? A na është ngjallur “lepuri” në bark, qoftë edhe për të siguruar një vend pune, një favor, një shmangie të policisë tatimore, etj, etj?
Pyetjeve të mësipërme mund t’u jepet një përgjigje e saktë: po t’u vësh mikrofonin dhe kamerën shumicës së qytetarëve, të cilët, me siguri, tjetër do të thonë, tjetër do të mendojnë, ca prej frikës dhe ca prej belasë se…se mund t’i dëgjojë dikush që është lart dhe: “ç’ne me lazëm?”…Intervistat me opinione nëpër rrugë dhe sidomos sondazhet e shprehin më së qarti këtë dukuri tjetërsimi. Tek ne sondazhi është vetvetiu i deformuar, që në nisje. Qytetari është i vetëkontrolluar, nën një autocensurë të trashëguar prej së cilës ka lindur e ende gjallon shprehja: “qeveria e kap lepurin me qerre”… Nëpër fushatat zgjedhore kemi parë mëse një herë që sondazhet të deformohen/ përpunohen/shfytyrohen nga hartuesit e tyre, nga ata që nuk janë të interesuar të dalë e vërteta, por për të dhënë këtë apo atë rezultat “objektiv” në favor të kësaj partie e të këtij udhëheqësi, duke bërë pikërisht atë që bënte dikur zyra e agjitpropit të partisë dhe tash edhe INSTAT-i…Kësisoj fjala publike, e cila në një shoqëri demokratike duhet të shërbejë si test i së vërtetës dhe si forcë e padiskutueshme e opinionit publik për të ndrequr (edhe jashtë zgjedhjeve) politikëbërjen, gjyqësorin, moralin e shoqërisë e të liderëve e pse jo edhe të mediave tek ne nuk ka më fuqi, pikë ndikimi dhe sigurisht edhe asnjë vlerë.
Ngaqë krerët tanë e kanë tredhur qëllimisht opsionin publik, ata nuk e kanë hallin si të kuvendojnë me ne qytetarët, si të na bindin për platformat dhe alternativat e tyre, por si të ‘masturbojnë’ me fjalën e vet, si të kënaqin veten, si të sillen me pasqyrën, si të tallen e pastaj të adhurohen nga oborri i ngushtë i tyre, si të mëkojnë, motivojnë dhe ushqejnë sejmenët dhe mercenarët partiakë, shumë-shumë si të hedhin ca romuze e thumba sa më helmonjës kundër njëri-tjetrit….Për ta kaq mjafton. Batutat e thikta përdoren si plumba, duke e bërë mjedisin social një Gërdec. Krerët tanë të vetëngopur e të vetëkarfosur nuk kanë frikë nga gënjeshtrat, nga shpifjet dhe nga premtimet e pambajtura, pasi e dinë fort mirë që mbi ta nuk mund të ketë asnjë fuqi vepruese e kontrolluese, asnjë gjyq suprem, pasi morali shoqëror nuk ka fuqi; askush pra nuk do t’i ndëshkojë, siç ndodh në çdo shoqëri demokratike, ku fuqia e opinionit publik është e padiskutueshme, mbi të gjithë e mbi gjithçka.
***
Në një emision të së dielës, A.Gjebrea kishte krijuar, sipas një filmi amerikan, këtë kuic: a mund të pranoni ju që partneri/partnerja t’ju tradhtojë për një milion dollarë? Shumica natyrisht që thanë: jo, kurrë! Edhe kur provokimin e çoi lart, në galeri, te një grup të rinjsh kokëqethur, duke i pyetur nëse mund të pranonin të…flinin me një të moshuar për një milion dollarë, të rinjtë një nga një të gjithë thanë me vendosmëri: Jo, kurrë!...Kurse Tana, një e moshuar, përherë e pranishme në emision, me sinqeritetin e një të moshuare që nuk ka ç’humbet e para kujt të japë llogari, guxoi dhe tha: He, he, këta shkojnë për një dymijë lekësh, nuk shkokan për një milion dollarë!...Kjo sjellje publike, në një shoqëri të vogël, ku mund të identifikohesh lehtë, ku familja më së shumti drejtohet nga mendësia e ruralëve të gdhirë urbanë, për të mos thënë edhe nga mbetjet tribale, është e kuptueshme!
Por mjerisht kjo nuk ndodh vetëm me qytetarët e rëndomtë. Sigurisht që Vip-at, deputetët, ministrat, “shërbëtorët’ e popullit të nivelit të lartë, nuk janë të detyruar të dalin para kamerave e të thonë nëse mund të tradhtojnë apo jo bashkëshortet për një milionë dollarë, apo nëse do të shesin postin, firmën dhe nderin zyrtar për një korrupsion me më pak para. Por ama më së paku të mos i shohim të dalin me urdhër nëpër debate e foltore me tekste e hartime të gatshme për të recituar akuza e shpifje kundër kundërshtarit të radhës, të cilat në shumicën e rasteve nuk i besojnë as vetë…Teksa përditë na shfaqen të pafytyrët “kompetentë”, nuk na mbetet tjetër veç të psherëtijmë e të themi: Mirë fakirfukarenjtë, po si shpjegohet që tjetër thonë, tjetër bëjnë e tjetër mendojnë, pra si pranojnë të përdoren e të keqpërdoren kaq për faqe të zezë, kaq pa dinjitet edhe ata që quhen të zgjedhur e janë “njerëz publikë”, edhe ata që gjithsesi janë të garantuar jo vetëm materialisht, po edhe të pajisur me mandat e me imunitet?
E pra, nuk janë një e dy të tillët! Nuk ka ditë e natë të mos dalin nëpër ‘TV’ disa syresh që pranojnë ta bëjnë fytyrën, emrin dhe mbiemrin vetjak blozë para publikut, a thua se për këtë “kategori” nuk ekziston e nesërmja, morali, familja, rrethi shoqëror, fëmijët, prindërit, lagjja, nderi, frika nga gjykimi …! Këta mercenarë, duke zhvlerësuar kësisoj Fjalën, moralin e nderin nuk duan t’ia dinë se po i shkaktojnë një dëm të pallogaritshëm jo vetëm emrit të tyre, por mbarë shoqërisë shqiptare! Sepse në një vend ku nuk peshon Fjala publike, afërmendsh nuk mund të ketë modele, nuk mund të funksionojë as ligji, as kushtetuta, as drejtësia, madje as demokracia, si sistem i patjetërsueshëm i vlerave. Asnjë diktator, sado i fuqishëm, nuk e kryen dot këtë tjetërsim, këtë demoralizim, këtë zhvlerësim të fjalës publike, këtë tredhje të opinionit publik, pa këtë aradhe nëpunësish mercenarë, të deformuar e të depersonalizuar që për një post e për një plaçkë, janë të gatshëm tjetër të thonë, tjetër të mendojnë e tjetër të bëjnë…
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›