E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Partia Socialiste nuk mund të jetë opozitë fasadë”



Çështja e bojkotit të Parlamentit ka qenë një ndër pikat më të nxehta të debatit të kohëve të fundit brenda radhëve të Partisë Socialiste. Kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili nuk ka ngurruar të denoncojë gjithnjë e më fort manipulimet e ndodhura në zgjedhjet e 28 qershorit, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Partia Socialiste të bojkotojë Parlamentin, të cilin e ka cilësuar me legjitimitet të cunguar. Këtë Rama e deklaroi gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët të dielën e kaluar. “Qëndrimi i Kongresit ndaj zgjedhjeve është i qartë dhe i prerë. I tillë është edhe qëndrimi ndaj Parlamentit dhe ndaj qeverisë, që do të thotë se PS-ja nuk mund të ketë një marrëdhënie normaliteti me Parlamentin dhe se për natyrën e kësaj marrëdhënieje dhe njëkohësisht për të gjithë procesin e trajtimit të kësaj marrëdhënieje do të vendosin ato institucione që Kongresi ka mandatar. Është përcaktuar qartësisht një qëndrim ndaj zgjedhjeve dhe kjo do të thotë që vendimmarrja e PS-së për marrëdhëniet me këtë Parlament me legjitimitet thellësisht të cunguar është një vendimmarrje që Kongresi ia ka lënë institucioneve të tjera të PS-së, duke i konsideruar këto zgjedhje pa legjitimitet dhe duke e konsideruar rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm”, - ka deklaruar Rama. Ndërkohë, kundërshtari i Ramës brenda PS-së, deputeti dhe anëtari i Kryesisë, Ben Blushi, e ka quajtur shumë të dëmshëm idenë e bojkotit të Parlamentit nga ana e Partisë Socialiste. Sipas Blushit, por edhe kandidatit tjetër, Arben Malaj, Partia Socialiste duhet të marrë përsipër përgjegjësinë që ka për vendin, duke bërë një opozitë të fortë dhe konstruktive. Blushi ka theksuar se PS-ja nuk do të mund të shkaktojë dot zgjedhje të parakohshme në rast se nuk do të jetë e pranishme në Kuvendin e ri.

2 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›