Zhvlerësimi i lekut, një tjetër faktor që ndikoi në shtrenjtimin e qirave
Zhvlerësimi i ndjeshëm i monedhës vendëse, lek, ndaj euros ka bërë që edhe çmimet e qirave të pësojnë një rritje dhe sipas të dhënave të fundit të nxjerra nga Banka e Shqipërisë për kryeqytetin, ato shkojnë në 7.5 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2009 (rritja është 5.9 për qind sipas matjeve të indeksit të qirasë duke zbritur efektin e vlerësimit të kursit lek/euro). Në krahasim me tremujorin e kaluar indeksi i qirasë u ul me 14.7 për qind (16 për qind pa efektin e vlerësimit të kursit lek/euro). Ndryshimi me kahe të kundërta i çmimit dhe qirasë së banesave në tremujorin e dytë në krahasim me të parin ka rezultuar në rritje të raportit çmim/qira. Ky raport qëndron sipër prirjes së tij historike në tremujorin aktual, pas një periudhe njëvjeçare në rënie gjatë të cilës ka qenë poshtë mesatares afatgjatë.
BE-ja nxjerr nga përdorimi llambat inkandeshente, harxhonin shumë energji
Plot 130 vjet pas shpikjes së dritës dhe llambës elektrike për përçimin e energjisë nga Thomas Edison, Europa vendos ta nxjerrë atë jashtë përdorimit. Nga data 1 shtator, me rekomandimin e Parlamentit Europian, do të ndalohet përdorimi i llambave tradicionale me dritën e verdhë dhe do të sugjerohet në vendet e BE-së përdorimi i atyre me dritë fluoreshente në vend, pasi sipas të dhënave të lëshuara nga Komisioni Europian, ato konsumojnë nga 25 – 80 për qind më pak se sa ato tradicionale, në varësi të modelit, dhe nuk paraqesin asnjë rrezik të rëndësishëm për shëndetin. Prania e 5 miligramëve merkur në llambat fluoreshente, sipas Brukselit, nuk është një rrezik për konsumatorët. Në rastin e thyerjes të llambës, në fakt, vetëm duhet të hapen dritaret dhe të përdoret një leckë e pastër, duke qenë të kujdesshëm për të mos prekur direkt kimikatin brenda dritës.
2 Shtator 2009