E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti: “Shtrëngimi i kredive ka sjellë shtrenjtimin e qirave të banesave”



Qiratë e banesave në kryeqytet po pësojnë sërish një rritje të lehtë, pavarësisht krizës ekonomike. Një vëzhgim i fundit i bërë nga Banka e Shqipërisë për tregun imobiliar në vend ka konstatuar fenomenin e rritjes së qirave në kryeqytet, i cili lidhet dhe me disa kushte specifike. Sipas konkluzionit të raportit të hartuar posaçërisht për këtë fenomen, del se ka një kontrast mes çmimeve maksimale të apartamenteve në Tiranë dhe mundësive të limituara të njerëzve për të blerë një shtëpi. Kjo gjë ka çuar automatikisht në lulëzimin e tregut të qirave në kryeqytet. Sipas drejtuesve të agjencive imobilare, faktori kryesor që ndikon në këtë gjë është pikërisht pamundësia për të marrë një kredi për të blerë shtëpi, si dhe fillimi i sezonit të ri shkollor. Agjencitë imobiliare thonë se ka një kërkesë në rritje për të marrë një shtëpi me qira dhe ky fakt ka ndikuar edhe në një rritje të lehtë të çmimit. Duket se ajo që i ka dhënë një shtysë këtij tregu në këtë fundmuaji. Në morinë e universiteteve shtetërore e private në Tiranë fluksi i kërkesave të studentëve për banesa me qira është i lartë. Muaji shtator pritet të jetë piku i sezonit përsa i përket këtij tregu. Ndërsa për shitjet e banesave, agjencitë janë të mendimit se çmimi i apartamenteve nuk parashikohet të bjerë.

Qiratë e banesave

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë për 6-mujorin e parë të vitit 2009, indeksi i qirasë së banesave në kryeqytet është rritur me 7.5 për qind, në tremujorin e dytë të vitit 2009 (rritja është 5.9 për qind sipas matjeve të indeksit të qirasë duke zbritur efektin e vlerësimit të kursit lek/euro). Në krahasim me tremujorin e kaluar indeksi i qirasë u ul me 14.7 për qind (16 për qind pa efektin e vlerësimit të kursit lek/euro). Në bazë të vlerësimeve të ekspertëve të BSH-së, ndryshimi me kahe të kundërta i çmimit dhe qirasë së banesave në tremujorin e dytë në krahasim me të parin ka rezultuar në rritje të raportit çmim/qira. Ky raport qëndron sipër prirjes së tij historike në tremujorin aktual, pas një periudhe njëvjeçare në rënie, gjatë së cilës ka qenë poshtë mesatares afatgjatë. Metodologjia e llogaritjes së indeksit të çmimeve të shitjes së banesave bazohet në supozimin se çmimi i njoftuar nga shitësi i banesave është çmimi i realizuar i transaksionit. Pjesa më e madhe e çmimeve të njoftuara për shitje banese është e shprehur në monedhën europiane, euro.

Çmimet e apartamenteve

Sipas raportit të BSH-së për 6 muajt e parë të vitit 2009, çmimet në ndërtim janë prirur të rriten. Ky raport vlerëson se rritja faktike në indeksin e çmimeve të shitjes në tremujorin e dytë të vitit 2009, është paraprirë nga vlerësime të bizneseve ndërtuese për rritjen e çmimeve të prodhimit. “Në linjë me vlerësimin për rritje të çmimeve të prodhimit gjatë tremujorit të parë të vitit, bizneset presin rritje të çmimeve të prodhimit gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009. Pritjet për çmimet në rritje nga ana e bizneseve ndërtuese shkojnë në një drejtim me parashikimin e bizneseve ndërtuese për pakësim të inventarëve, të cilët ishin rritur shumë në tremujorin e fundit të vitit 2008, duke sugjeruar se oferta në tregun e pasurive të paluajtshme do të mbetet e qëndrueshme”,- theksohet në këtë raport. Nga ana tjetër, shtrëngimi i kushteve të kreditimit gjatë vitit 2009, bazuar në vrojtimin e aktivitetit kreditues, sugjeron për një ndrydhje të kërkesës. Sipas BSH-së, dinamika e kërkesës dhe ofertës në tregun e pasurive të paluajtshme, në kushtet e një kërkese më të tërhequr dhe të një oferte të qëndrueshme, sugjeron një frenim të rritjes së mëtejshme të çmimeve mbi nivelin aktual.

2 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›