Çmimi i naftës s'ka të ndalur

Çmimi i shitjes së naftës vazhdon të shënojë rekord në bursat ndërkombëtare, ku që prej dy ditësh një fuçi naftë është shitur me 119 dollarë. Shkaku i rritjes së naftës vazhdojnë të mbeten kërkesat e larta të vendeve për këtë produkt, ku tendencat e shitjes së çmimit vazhdojnë të jenë në rritje. E njëjta situatë pritet të përcillet edhe në vendin tonë, pavarësisht se të gjithë importuesit janë duke punuar me rezervat e marra që nga muaji mars. Përpara fillimit të blerjes së rezervave të naftës nga importuesit vendas, çmimi i naftës shënoi rritje prej 5 lekësh, në një kohë që nafta shitej në bursat ndërkombëtare me 101 dollarë fuçia. Aktualisht, çmimi rekord i naftës është 154 lekë për litër. Sakaq, që nga fillimi i vitit 2008 çmimi i shitjes së naftës me pakicë në tregun vendas është rritur 14 lekë. Burime pranë shoqatës së hidrokarbureve kanë pohuar për gazetën “Korrieri”, se çmimi i shitjes së naftës në vendin tonë do të vazhdojnë të ndjekë tendencat e çmimit në bursat ndërkombëtare. Pra, në rast se edhe bursat e huaja do të vazhdojnë të shënojnë rritje të çmimit të naftës, i menjëhershëm do të jetë edhe reagimi në tregun vendas. Ose e thënë ndryshe, çmimi do të rritet pas përfundimit të rezervave të grosistëve. E vetmja arsye e cila po mban të frenuar grosistët vendas, janë rezervat e naftës me të cilat ata po punojnë, që do të përfundojnë shumë shpejt. Por në këtë situatë, sërish nga ana e grosistëve kërkohet që qeveria të ndërhyjë në uljen e barrës fiskale, ndërkohë që rënia e ulët e dollarit mbetet një faktor i rëndësishëm për uljen e çmimit. Por nëse shikon grafikun e ecurisë së çmimit në tregun ndërkombëtar, vëren se ka rritje, por ka edhe ulje. Në grafikun e çmimit në Shqipëri shënohet vetëm rritje, ose staniacion. Një litër naftë kushtonte 69 lekë në fillim të vitit 2003. Arriti kulmin në mars të këtij viti, kur u shit për 150 lekë litri dhe sot shitet 154 lekë për litër. Por përveç importuesve, shkak i rritjes së çmimeve të naftës mbetet edhe mungesa e prodhimit nga kompani shtetërore ARMO. Aktualisht, ARMO është e interesuar që të arrijë prodhimin e gazoilit D1 në vend, por ende nuk ka asnjë rezultat. Por për të arritur te ky qëllim, duhet të ketë më parë një projekt të qartë dhe të saktë, i cili të përmbajë të dhëna që lidhen me projektimin, teknologjitë që duhet të përdoren në bazë të parametrave që afrojnë dy uzinat e rafinimit të naftës në Ballsh dhe Fier, si dhe koston e nevojshme për këtë qëllim. Në bazë të një vendimi të qeverisë, parashikohet që në Shqipëri pas datës 1 janar 2009, të mos lejohet tregtimi i gazoilit D2 për automjetet. Aktualisht, sasitë më të mëdha të importit të gazoilit në vend nga firmat grosiste, janë të tipit D2.