Oficeri i Komandos plagos 18-vjeçarin
Policia ka nisur procedim penal ndaj një oficeri të repartit special të ushtrisë, Komando. Besnik Fane do të ndiqet penalisht për plagosjen e lehtë të Erald Tafanit, ndërmjet të cilëve ka pasur një konflikt të rastit. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se në orën 21:00 të së shtunës ka bërë kallëzim Erald Tafani, 18 vjeç, lindur dhe banues në rrugën "Budi", pasi ishte goditur me qytën e pistoletës nga një ushtar Komando. Në deklaratën e tij, i dëmtuari ka thënë se, pas një konflikti me Besnik Fane, 28 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, oficer në Repartin 1200, Regjimenti Komando, është goditur në trup me qytën e pistoletës, që e kishte me leje. Erald Tafani u dërgua në spital me dëmtime të lehta në trup dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia kreu veprimet procedurale dhe shoqëroi oficerin Komando, i cili do të ndiqet penalisht për veprën penale të "dëmtimeve të tjera me dashje".