Hakmarrja, atentat ndaj një 34-vjeçari
Një sherr i vjetër ka qenë duke i marrë jetën një 34-vjeçari në Vorë të Tiranës. Një atentat me armë i është bërë Dashamir Mahas, teksa po dilte nga banesa e tij, ndërkohë që policia ka mundur të identifikojë autorin. Burimet policore bënë të ditur se, paraditen e së shtunës, pikërisht në orën 10:30, pranë kopshtit të vjetër në Vorë, ka ndodhur plagosja me armë zjarri e Dashamir Xheladin Mahas, 34 vjeç, lindur dhe banues në Vorë. Ai ka marrë plagë me armë zjarri në këmbë dhe është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Me t‘u njoftuar, në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, e cila kreu veprimet procedurale, ku rezultoi se shtetasi i lartpërmendur, për motive të dobëta është qëlluar me armë zjarri, duke u plagosur lehtë në këmbë nga një person i paidentifikuar. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 5 gëzhoja. Por, më vonë, kjo ngjarje është marrë në dorë nga seksioni kundër krimeve ndaj personit, e cila ka nisur hetimet e mëtejshme. Gjatë mbledhjes së provave, policia ka konstatuar se ky krim mund të jetë kryer nga një person, i cili ka pasur një konflikt të vjetër me të dëmtuarin. Sipas të dhënave hetimore, 34-vjeçari ka pasur një konflikt të vjetër për një femër, shumë kohë më parë. Ky mendohet se është shkaku, i cili ka rënë pre e atentatit, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Burimet policore thanë se më vonë kanë identifikuar një të dyshuar, por emri i tij nuk është publikuar për arsye hetimore. Sipas të dhënave hetimore, aktualisht, po punohet për kapjen e këtij personi.