E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Admir Moisiut, gjykata kerkon demshperblim

Prokuroria e Përgjithshme me vendim gjykate duhet ti kthejë mbi 70 milionë lekë të vjetra Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, parà të përfituara si masë dëmshpërblimi pas aksidentit tragjik të Admir Moisiut

TIRANË -  Dëmshpërblimi që familjarët e ish-presidentit Alfred Moisiu morën pas humbjes tragjike të djalit të vetëm, Admir Moisiut, ngjarje e ndodhur më 10 mars të vitit 2004, ishte objekti kryesor i vendimit që dha dje Gjykata e Tiranës. Në seancën e 15-të të çështjes, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Admir Thanza vendosi t’i japë të drejtë palës paditëse, Byrosë Shqiptare të Sigurimit, e cila kërkonte nga Prokuroria e Përgjithshme shumën e 9 milionë e 421 mijë e 390 lekëve. Sipas vendimit të gjykatës, bëhet me dije se ditën e djeshme u vendos “pranimin i kërkesë-padisë së Byrosë Shqiptare të Sigurimit, si e bazuar në prova dhe në ligj”. Në bazë të këtij vendimi, Prokuroria e Përgjithshme në cilësinë e institucionit ku ishte i punësuar djali i ish-presidentit, duhet t’i kthejë Byrosë Shqiptare të Sigurimit shumën prej 7 milionë e 505 mijë e 215 lekëve të reja, shumë e cila është paguar nga kjo e fundit për vdekjen e të ndjerit Admir Moisiu dhe dëmtimet e shëndetit të shtetasit Rrahman Jata. Kërkesë-padia që iu nënshtrua një procesi gjyqësor prej 15 seancash, u dorëzua në Gjykatën e Tiranës nga Byroja Shqiptare e Sigurimit më 20 tetor të vitit 2007, pasi ishte vërtetuar se automjeti në pronësi të Prokurorisë së Përgjithshme me të cilin u akisdentuan i ndjeri Admir Moisiu dhe Rrahman Jata ishte i pasiguruar, ndërsa Byroja e Sigurimit në mirëbesim pagoi shumën e 95 milionëve për dëmshpërblimin e familjarëve të të ndjerit dhe shpenzimet mjekësore të Jatës. Sipas kërkesë-padisë së Byrosë Shqiptare të Sigurimit, kërkohet “kthimin e shumës prej 9 milionë e 421 mijë e 390 lekëve, e cila është paguar nga pala paditëse për vdekjen e të ndjerit Admir Moisiu dhe dëmtimin e shëndetit të shtetasit Rrahman Jata”. Historia nis pas dëmshpërblimit të familjes së të ndjerit, e cila në bazë të ligjit “për sigurimin e detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorike, për përgjegjësinë ndaj personave të tretë”, duhet të dëmshpërblehej. Duke zbatuar me rigorozitet ligjin, Byroja e Sigurimeve ka dëmshpërblyer familjen Moisiu, e cila humbi djalin e vetëm, i cili në atë kohë mbante detyrën e drejtorit të Kontrollit Ekonomik në Prokurorinë e Përgjithshme, me 9 milionë lekë, si dhe pagoi shpenzimet mjekësore për kurimin e ekonomistit Jata, me shumën e 400 mijë lekëve. Pasi janë bërë pagesat, Byroja e Sigurimeve konstatoi se makina tip “Mitsubishi Pajero” me targë 387 E 659 në pronësi të Prokurorisë së Përgjithshme, me të cilin po udhëtonin tre personat, ishte e pasiguruar. Në këtë pikë gjërat ndryshuan, pasi në bazë të ligjit, familja e viktimës në rast aksidenti duhet dëmshpërblyer, por kur automjeti është i siguruar. Në rastin konkret u vërtetua se automjeti i Prokurorisë së Përgjithshme që doli nga rruga në afërsi të qytetit të Tepelenës më 10 mars të vitit 2004 ishte i pasiguruar. Mbi këtë fakt gjykata i dha të drejtë Byrosë Shqiptare të Sigurimit, duke detyruar organin qendror të akuzës t’i kthejë shumën e 7 milionë e 505 mijë e 215 lekëve. Gjithsesi, pa përgjigje ngeli dje nëse kjo shumë parash tashmë do të kthehet nga Prokuroria e Përgjithshme, apo kjo e fundit do t’i kërkojë familjes së ish-Presidentit që të kthejnë paratë e marra prej dëmshpërblimit të tragjedisë së tyre familjare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›