E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr i përmasave të mëdha në Fan të Mirditës, rrezikohen 5 banesa

MIRDITE – Flakët e zjarrit kanë përfshirë një masiv me pyje, në fshatin Fan të Mirditës.

Mësohet se zjarri ka rënë 3 ditë më parë dhe sot është përhapur në një hapësirë të konsiderueshme, për shkak të erës.

Aktualisht nuk dihen ende shkaqet e rënies së zjarrit, që deri tani ka djegur rreth 30 hektarë pyll me lisa.

Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se flakët rrezikojnë 5 banesa që ndodhen pranë vatrës së zjarrit. Ndërkohë zjarrfikësit thonë se e kanë të pamundur ndërhyrjen, për shkak të terrenit tepër të thyer.

Edhe pse automjetet zjarrfikëse, të nisur nga Rubiku, janë afruar pranë vatrës së zjarrit, ato nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shuarjen e flakëve.

Ndërkaq anëtarët e 5 familjeve që banojnë pranë pyllit të përfshirë nga flakët bëjnë apel që të ndërhyhet, në mënyrë që të shmanget përhapja e flakëve, që mund të rrezikojnë edhe jetën e tyre.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›