E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nimic propozime të reja për emrin

Ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic në raundin e parë të bisedimeve me palët negociatore greke dhe maqedonase ka propozuar ide të reja për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë.

Lajmi bëhet i ditur nga agjencia greke e lajmeve ANA-MPA, duke nxjerrur informacione nga takimi në Nju Jork.

Ndërmjetësi Metju Nimic ka zhvilluar takime të përbashkëta me negociatorin grek Adamantios Vasilakis dhe ate maqedonas Nikola Dimitrov. Në takimin dyorësh me dy delegacionet janë prezantuar ide të reja, të cilat do të përmbajnë elemente të reja që janë pjesë e ideve të të dyja palëve negociatore, lajmëroi ANA-MPA.

Ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic të premten do të zhvillojë takime të ndara me dy delegacionet, ndërsa raundi tjetër i bisedimeve është paralajmëruar gjatë javëve të ardhshme.

Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Brenden Varma në një deklaratë me shkrim të publikuar sot pasdite bëri të ditur se në këto bisedime është bërë fjalë për të gjitha elementet e kontestit të emrit, përdorimit të tij dhe çështjes së identitetit.

“Nimic ka prezantuar disa ide të reviduara, të bazuara në propozimet e mëparshme.Idetë janë reviduar në bzë të përgjigjeve të marrura gjatë vizitës së fundit të emisarit Nimic në rajon. Nimic ka kërkuar që të dyja palët të shqyrtojnë propozimet në pako”, thuhet në komunikatën e zëdhënësit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

Sipas komunikatës, Nimic beson që ekziston mundësi për zgjidhje korrekte e bazuar në rekomandimet e të dyja palëve. (INA) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›