E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi në Kallamata, vrasësi dhe viktima lanë takim në telefon

KALLAMATA - Një telefonatë në telefonin celular të 35-vjeçarit shqiptar pak kohë para vrasjes brutale të tij dhe djalit trevjeçar, në afërsi të Kallamatës, është "busulla" e policisë në hetimet për zbulimin e krimit të dyfishtë.

Tashmë, policia po mbledh informacion në lidhje personin që e ftoi Filipin në takimin fatal, në afërsi të fshatit Plati të Kallamatës. 

Sipas policisë, është e qartë se telefonuesi ishte një njeri i njohur për 35 vjecarin, i cili iu përgjigj menjëherë ftesës për takim dhe jo vetëm kaq, por mori me vete dhe vogëlushin, gjë që dëshmon se ai nuk ndihej i kërcënuar. 

Krimi i pashembullt ndodhi, të martën në mbrëmje disa kilometra larg fshatit. 

Policia beson se sulmuesi ishte në makinë me Filipin dhe fëmijën dhe se pas aktit barbar e ka shtyrë mjetin në një kanal ujitjeje. Dritat e makinës, ishin ndezur, dhe kjo tërhoqi vëmendjen e një banori të fshatit, i cili njoftoi policinë.

Një nga pistat e policisë greke është vrasja për gjakmarrje, por deri tani nuk ka asnjë të dhënë nga autoritetet shqiptare të policisë, për përfshirjen e familjes së 35-vjeçarit në ndonjë aktivitetet kriminal në Shqipëri, që të mund të çonte në një veprim kaq të egër hakmarrës.

35 vjeçari i pa fat, Fillim Mesaja nga Kukësi, (i njohur në Greqi si Filip Mezani) ishte i popullarizuar në Kallamata, për shkak se merrte pjesë rregullisht në garat me kuaj.

Filipi erdhi në Greqi nga Shqipëria shumë i ri, dhe në fillim merrej me punë të ndryshme sezonale, ndërsa vitin e kaluar ka punuar në ndërtim.

Familja e tij, gruaja dhe fëmijët, jetonte në Shqipëri. Një muaj më parë kishte sjellë në Greqi djalin tjetër 11-vjeçar, i cili ka probleme të rënda shëndetësore, ndaj Filipi punonte shumë për të siguruar shërimin e tij.

Çdo vit në këtë kohë vinin në Greqi edhe gruaja e tij dhe të afërmit, për të punuar në mbledhjen e ullinjve. E njëjta gjë ndodhi edhe këtë vit. Gruaja që erdhi për të punuar, mori me vete edhe djalin e vogël 3 vjecar Olgertin, i cili u gjet i therur në makinë.

Filipi dha një impuls garave me kuaj, që zhvilloheshin në fshat dy herë në vit, duke qenë edhe vetë një kalorës shumë i mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›