Zjarr në Krrabë, probleme në qarkullimin e automjeteve
Vatrat e zjarrit që kanë pushtuar disa rajone të vendit, kanë rrezikuar bllokimin e rrugës kombëtare Tiranë-Elbasan.
Në orët e drekës së të premtes, disa hektarë pyje në Krrabë, u përfshinë nga flakët, duke u afruar deri pranë rrugës nacionale e disa banesave të fshatit.
Makinat zjarrëfikëse të të dy qarqeve kanë mbërritur brenda pak minutash në vendngjarje, por si rrjedhojë e terrenit të vështirë dhe mungesës të aksesit rrugor, e kanë pasur të vështirë të vendosin nën kontroll flakët. Policia ka bërë të ditur se gjatë orëve të pasdites janë krijuar probleme në qarkullim, për shkak të tymit që pengon lëvizjen normale të automjeteve.
Ndërkohë policia ka deklaruar se ka ndaluar dy persona si autor të dyshuar të zjarrëvënies: Panajot Likën dhe Krenar Beqarin. 3 zjarrfikëse të ndihmuara edhe nga Policia e Shtetit si dhe efektivë të Forcave të Armatosura kanë mbërritur në vendngjarje dhe po luftojnë intensivisht për shuarjen e flakëve.
24 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Zjarr në Krrabë, probleme në qarkullimin e automjeteve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip