Rëndohet situata në Krrabë, 2 në pranga për zjarrëvënie të qëllimshme

Vështirësohet situata e krijuar nga zjarri aktiv, i cili shënjoi një ditë më parë në Krrabë. Burime nga qyteti i Elbasanit bëjnë me dije situata është tepër e vështirë për shkak të sipërfaqes së madhe të përfshirë nga zjarri, i cili ka kaluar në të dy anët e rrugës nacionale duke vështirësuar edhe qarkullimin e automjeteve për shkak të reve të dendura të tymit.
3 zjarrfikëse të ndihmuara edhe nga Policia e Shtetit si dhe efektivë të Forcave të Armatosura kanë mbërritur në vendngjarje dhe po luftojnë intensivisht për shuarjen e flakëve.
Momentalisht banesat mbeten ende të parrezikuara, pasi zjarri mbetet ende në largësi deri në 200 metra nga zona e banuar. E gjithë situata e rëndë duket se është provokuar qëllimisht, pasi mbrëmjen e sotme Komisariati nr. 1 në kryeqytet ka arrestuar 2 shtetas për zjarrvënie të qëllimshme në Kërrabë, përkatësisht shtetasit, Panajot Lika dhe Krenar Beqari.
Ndërkaq situatë e vështirë paraqitet edhe në pyjet e zonës së Pukës, ku sipërfaqe të mëdha janë përfshirë nga zjarret, të cilat kanë dalë jashtë kontrollit, ndërsa kërkohet ndihmë nga ajri.