Zjarr në Kukës dhe Gjirokastër, digjen brenda pak orëve 14 hektarë pyje dhe kullota
Në Kukës dhe në Gjirokastër, gjatë 24 orëve të fundit janë shfaqur tri vatra të mëdha zjarri në masivet pyjore të Pistës, në zonën e Lusnës si dhe në fshatin Kakoz. Dy vatrat e zjarrit në Kukës janë vënë nën kontroll brenda pak orëve, ndërsa janë shkrumbuar deri tani rreth 7 hektarë sipërfaqe pyjore. Burime zyrtare thanë se ndryshe paraqitet situata në Gjirokastër, ku flakët e zjarrit u shfaqën rreth orës 14:00 në mënyrë të papritur në fshatin Kakoz dhe situata paraqitej problematike për shkak të erës që frynte në drejtimin veriperëndim. Burime zyrtare thanë se “zjarri në masivet pyjore të Pistës është vënë nën kontroll në mesnatë, pasi ka shkrumbuar një sipërfaqe prej 4 hektarësh, ndërsa në zonën e Lusnës ka djegur një sipërfaqe prej 3 hektarësh. Të dyja vatrat e zjarrit janë vënë nën kontroll, por ende nuk janë shuar”. Po të njëjtat burime u shprehën se “në këtë periudhë kemi pasur një bashkëpunim efikas me komunitetin dhe pushtetin vendor, ndërhyrja e të cilëve ka bërë që vatrat e zjarrit të shfaqura të eliminohen brenda pak orëve me dëme të vogla ekonomike”. Vitin e kaluar në këtë periudhë nga zjarret që përfshinë masivet pyjore të rrethit u dogjën 1002 hektarë pyje dhe u përshkuan nga zjarri mbi 5200 ha. Në minimizimin e dëmeve nga zjarri në këtë periudhë ka ndikuar kalimi i masiveve pyjore në pronësi e përdorim të pushtetit vendor, gjë që ka sjellë edhe rritjen e kujdesit nga vetë komuniteti përmes organizimit të kontrollit sinjalistik e të grupeve të shuarjes së zjarreve që kanë ndërhyrë në momentin e shfaqjes së rasteve të zjarrit. Edhe në Gjirokastër, sipas burimeve, aktualisht në vendngjarje ndodhen punonjësit e zjarrfikëses, të mbështetur nga policia lokale dhe banorët e zonës, të cilët po punojnë për vënien nën kontroll të zjarrit. Po të njëjtat burime theksuan se është ende shpejt të përcaktohen saktësisht dëmet materiale, pasi vatra e zjarrit është shfaqur në një zonë kodrinore dhe flakët e zjarrit po përhapen me shpejtësi edhe në vreshtat e këtij fshati.
Një ditë më parë, në afërsi të fshatit Lugar të komunës së Dropullit të Poshtëm, rreth 15 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, flakët e zjarrit dogjën plotësisht shtatë hektarë tokë kullotë.
26 Gusht 2008