E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr ne depo armesh evakuohen 28 mije persona ne Rusi

Zjarri i shpërthyer në një depo armësh në Rusinë Qëndrore çon në evakuimin e detyruar të 28 mijë personave. Depoja ndodhet në afërsi të qytetit Izhevsk, në rajonin Volga. Autoritetet ndërkohë, janë angazhuar për të vënë nën kontroll flakët në depon ku ruhen afro 10 mijë tonë armatime.

Zëdhënësi i ministrisë së emergjencave, Mikhail Surkov, tha se të paktën 30 persona që kanë marrë plagë, 8 prej tyre janë dërguar në gjendje të rëndë në spital. Zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes, Igor Konashenkov, deklaroi se nuk ka pasur viktima në mesin e ushtarëve. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se pas një serie shpërthimesh, flakët kërcënojnë tani dhe zonat e banuara ndaj evakuimi i banorëve ka qenë i detyruar.

Shpërthimet në depot ushtarake të armatimit janë relativisht të shpeshta në Rusi dhe shpesh herë kanë të bëjnë me pajisjet e vjetëruara dhe me mungesë të rregullave të sigurisë. Javën e kaluar një zjarr i ngjashëm në depon e municionit në qytetin Ufa, shkaktoi shpërthime të fuqishme. Flakët që shpërthyen në depon me rreth 100 mijë tonë municione kishin prekur dhe zonat e banuara.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›