E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, shembje në rrugën nacionale

 

BURREL - Shembja e krijuar në rrugën nacionale Burrel-Klos shkakton probleme për lëvizjen normale të mjeteve. Në vendin e quajtur “Kthesa e Sanës” ka ndodhur një tjetër shembje e skarpatës së rrugës, duke ngushtuar trasenë e saj. Përveç shembjes së skarpatës rruga pësoi cedim, duke krijuar probleme për poseduesit e mjeteve motorike. Ndërmarrja e rrugëve bëri përpjekje për largimin e inerteve, që kishin rënë në rrugë dhe hapjen e një kanali anësor për largimin e ujërave, mirëpo ende ky segment problematik nuk është kthyer në gjendje normale. Edhe tre vjet më parë pikërisht në këtë vend janë investuar shuma kolosale, por rruga vazhdon të shembet. Specialistë të rrugëve sqarojnë se zona ku ndodh rrëshqitja e rrugës është e paqëndrueshme për shkak të formacioneve tektonike të buta. Por specialistët argumentojnë se zgjidhja e vetme është kryerja paraprakisht e studimit gjeologjik, gjë që nuk vlerësohet nga investitorët në asnjë rast. Nëse rrëshqitjet do të vazhdojnë atëherë do të krijohen probleme serioze dhe për objektet shtetërore e private, që ndodhen pak metra mbi rrugën e shembur.                                             h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›