E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga bandës italo-shqiptare, sekuestrohen 80 kg drogë

ITALI/ Policia ka zbuluar se droga kalonte nga Shqipëria në Itali e fshehur në gomat e kamionëve


ITALI - Drogë e fshehur në gomat e kamionëve që nisej nga Shqipëria dhe mbërrinte në Itali ishte skema e praktikuar nga një bandë e madhe e trafikut të narkotikëve, mes të cilëve pjesa më e madhe ishin shqiptarë. Hetimet që nisën bashkë me arrestimet që në vitin 2005 përfunduan edhe me zbulimin e dy laboratorëve të paketimit të drogës.


Ka qenë skuadra e policisë së departamentit të drejtësisë në Lombardi ajo që ka kryer një operacion antidrogë duke e çuar në 58 numrin e personave të prangosur, shumica e të cilëve shqiptarë dhe duke sekuestruar 80 kilogram drogë e llojit heroinë, kokainë dhe marihuanë.


Arrestimet në bandën italo-shqiptare kanë nisur që në vitin 2005 ku fillimisht u prangosën 32 vetë për shpërndarje të lëndëve narkotike. Fazat e para të hetimit u mbështetën në përgjimet telefonike ndërsa ndjekja u përqendruan në zonën e Milanos çka çoi në prangosjen e 8 shpërndarësve të drogës dhe sekuestrimin e 5 kg lëndë narkotike.


Më tej, në vitin pasardhës, hetimet vijuan në rajone të tjera të Italisë, si në Piaçenca, Fermo, Askoli, Teramo, Piceno dhe Katania. 22 vetë u vunë në pranga, ndërsa u sekuestruan 35 kg drogë të gatshme për t'u shitur në treg. Në hetimet e kryera, agjentët zbuluan se lëvizja e drogës sigurohej duke u fshehur në gomat e kamionëve dhe kalonte nga Shqipëria në Itali.


Një bashkëpunim mes policisë italiane dhe shqiptare bëri të mundur mbledhjen e provave që çoi më pas në arrestimin e 28 shqiptarëve të tjerë që jetonin në Itali, ndërsa u skuestrua një sasi prej 40 kilogramësh drogë.


Gjithashtu u bë e mundur të bihej në gjurmët e një shqiptari për të cilin ishte firmosur një urdhër-arresti ndërkombëtar. Në fazën e fundit të hetimit arrestimet janë kryer në Firence, Xhenova, Lodi, Lexo, Sondrio, Pavia, Piaçenca, Vareze, Alesandria, Verçelli, Kuneo, Milano e Monca ku janë gjetur dy laboratorë të paketimit të lëndëve narkotike për shitjen e saj.


Për dy të arrestuar është ngritur edhe akuza e shfrytëzimit të prostitucionit dhe skllavërisë në dëm të një shqiptareje rreth 22-vjeçare dhe një rumuneje 19-vjeçare. Në kuadër të po këtij operacioni policia ka sekuestruar dy laboratorë klandestinë ku bëhej paketimi i drogës, si dhe ka ndaluar dhe një shqiptar, ndaj të cilit ishte firmosur një urdhërarrest ndërkombëtar.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›