E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr në pallatin te “Zogu i Zi”, banorët shpëtohen nga ballkonet

05/03/2012  Shkak djegja e kabujve elektrikë. Shpëtohen fëmijët. Tjetër zjarr ra në Allias

TIRANË- Dy zjarre ranë dje në Tiranë, në një pallat dhe në fabrikën e këpucëve, ndërsa nuk ka pasur të lënduar. Minuta tmerri përjetuan mbrëmë dhjetëra banorë të pallatit kryesor 15-katësh te “Zogu i Zi”, kur u rrethuan nga flakët e zjarrit. Ndërhyrja në kohë e zjarrfikëseve dhe repartit RENEA, koordinimi i veprimeve dhe mbikëqyrja e aksionit të shpëtimit nga kryepolici Hysni Burgaj mundësuan vënien nën kontroll të flakëve dhe shpëtimin e banorëve. Nga grupi i ekspertëve mësohet se gjithçka ndodhi rreth orës 18.30, ndërsa shkak ishte bërë marrja flakë e kabujve elektrikë nga kati i parë në katet e sipërme, ku për pasojë flakët ishin përhapur nga linjat e korrentit në ashensor dhe nëpër kate. Menjëherë pasi njoftuan policinë, banorët dolën në ballkone, të pajisur me peshqirë e çarçafë. Në vendngjarje mbërritën zjarrfikëset, RENEA dhe ambulancat. Ndërsa forcat e specializuara të kërkim-shpëtimit të minierave, të pajisura me bombola oskigjeni dhe kaska, ndërhynë nga jashtë me shkallë të gjata për të zbritur banorët. Evakuimi i tyre u bë nga ballkonet, deri në momentin që u shuan flakët. Mes atyre që u evakuan ishte një nënë dhe fëmija 10 vjeç, si dhe dy fëmijë të vegjël që ishin vetëm në shtëpi. Asnjë nuk mbeti i lënduar. Ndërkaq, pak minuta para se të binte ky zjarr, një tjetër rast u raportua në një fabrikë polisteroli në zonën e Alliasit në kryeqytet. Rënia e zjarrit është regjistruar rreth orës 17:50, ndërsa nuk dihen ende shkaqet e rënies së tij. Sipas të dhënave dyshohet se zjarri është vënë aksidentalisht nga disa fëmijë pranë një koshi mbeturinash afër fabrikës. Flakët më tej kanë prekur edhe godinën e fabrikës me polisterol, ndërsa shëllunga tymi janë përhapur në të gjithë Tiranën. Nuk ka pasur të lënduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›