Shkodër, e moshuara gjendet me fytin e prerë
SHKODËR- Një 72- vjeçare është gjendur e vdekur në banjën e shtëpisë së saj në Laç të Vaut të Dejës. Gruaja është gjetur me fytin e prerë ndërsa pranë saj ndodhej arma e krimit. Hetuesit kanë hedhur hipotezën e një vetëvrasjeje por kjo pistë mbetet ende për tu verifikuar.
Ka qenë ora 11.50 e ditës së djeshme kur Dake Mrozi është gjetur pa ndjenja dhe e mbuluar nga gjaku, brenda në banjën e banesës së saj në Vaun e Dejës. E moshuara jetonte vetëm në shtëpi pasi djemtë i kishte emigrantë në Greqi, ndërsa vajzat e martuara. Në të njëjtin oborr jo larg banesës së 72-vjeçares jetonte dhe familja e njërit prej djemve të saj. Ka qenë nusja e djalit ajo që ka shkuar në shtëpinë e vjehrrës dhe pasi ka konstatuar që nuk ishte aty duke e kërkuar e ka gjetur të shtrirë në banjë e të mbuluar me gjak. Së bashku me fqinjët ato i kanë dhënë ndihmën e parë të moshuarës duke e dërguar drejt spitalit rajonal të Shkodrës. Por e moshuara ka gjetur vdekjen rrugës. Sipas mjekëve, 72 vjeçarja ka gjetur vdekjen si pasojë e hemorragjisë së madhe të krijuar nga prerja e fytit të saj me mjete prerëse. Ata pohuan se prerja ishte shumë e thellë. Policia ka nisur hetimet ku në banjë ku është gjendur viktima ndodhej edhe thika e përgjakur. Sipas policisë, nga hetimet e deritanishme mendohet qe 72- vjeçarja të jetë vetëvrarë duke u vetë goditur me thikë në fyt. Mësohet se ajo ka shfaqur shqetësime mendore dhe më parë, madje vetëm para dy ditësh ishte sjellë në shtëpi nga vajzat e saj të martuara ku kishte qenë për disa ditë. Mësohet se vajzat e viktimës i kanë porositur të afërmit të kenë kujdes , pasi nëna e tyre kishte tentuar dy here të kapte me duar linjat elektrike me qëllim vetëvrasjen. Kjo është viktima e dytë e vetëvrasjeve në Shkodër brenda katër ditësh.