Zjarret, FRD: Mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë

Fryma e Re Demokratike shpreh shqetësimin e saj lidhur me situatën e krijuar nga zjarret që kanë përfshirë zona të ndryshme të vendit. Në një deklaratë për shtyp, FRD-ja ka kërkuar mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të menaxhuar situatën ku të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e qeverisjes lokale, me qëllim kordinimin dhe marrjen e masave efikase për shuarjen e zjarreve.
“Në të njëjtën kohë si vend anëtar i NATO-s duhet urgjentisht t`i kërkohet aleancës dhe vendeve mike anëtare që të na ndihmojnë me logjistikë (makineri dhe paisje të përshtateshme) për shuarjen e zjarreve. Në këto kushte FRD mbetet e angazhuar, me gjithë mundësitë e saj modeste, për të dhënë kontributin dhe ndihmuar në kapërcimin dhe normalizimin e situatës”shton FRD.
Ndërsa thekson se dëmtimi nga zjarret është i parikuperueshëm për pasurinë kombëtare ndërsa ka shtuar se është shqetësuese indiferenca e të gjitha institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e situatës.
“Është shqetësuese heshtja e Presidentit të Republikës, pa-aftësia dhe pasiviteti i qeverisjes qëndrore dhe asaj lokale, mos-angazhimi i strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Rendit me qëllim minimizimin e dëmeve. Aq me keq, kur kjo situatë përsëritet çdo vit dhe po çdo vit dëgjojme vetëm justifikime dhe politizime të panevojshme” thekson FRD-ja.